Pakti detar/ Vetëvendosja akuzon: Për negociatat sekrete me Athinën, në dijeni dhe Meta e Basha

Vetëvendosja dega Shqipëri ka riaktivizuar sërish akuzat ndaj qeverisë në lidhje për marrëveshjen e detit me Shqipërinë, duke i kërkuar Edi Ramës që të plotësojë një axhendë prej 4 pikash menjëherë se përndryshe do të mbajë përgjegjësi për tradhëtinë ndaj vendit.
Elvis Hoxha dhe Bojken Abazi, kanë deklaruar se në dijeni të negociatave me Greqinë janë në dijeni edhe Ilir Meta dhe Lulzim Basha.
“Erdhi një informacion i ri nga gazeta greke Protothema. Kjo gazetë na mësoi se negociatat, përkundër asaj që deklaron kryeministri shqiptar, z. Rama, kanë gjashtë muaj që vijojnë. Madje gazeta na thotë se janë në dijeni të ecurisë dhe rezultateve të tyre edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Meta, si dhe kryetari i PD-së, z. Basha. Kështu që kuptojmë se deklarimi më i hershëm i Micotaqisit, në parlamentin grek, për shtrirje të Greqisë deri në 12 Milje detare, paska qenë i mbështetur në negociata 6 mujore me palën shqiptare”, theksoi Hoxha i cili më pas ka publikuar 4 pikat që i kërkoi qeverisë.
Pikat e Vetëvendosjes
1. Shqipëria duhet të tërhiqet menjëherë nga çdo marrëveshje e fshehtë, e miratuar në parim ose jo, me Greqinë. Marrëveshjet e fshehta jane të paligjshme sipas Nenit 102 të Kartës së OKB-së. Qeveria Rama duhet të bëjë transparencë të plotë, ose të përgënjeshtrojë menjëherë KM Micotaqis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe gazetën “Protothema”. Njëkohësisht, në lidhje me këtë marrëveshje të fshehtë, kërkojmë që Presidenti i Republikës dhe kryetari i PD-së të distancohen menjëherë dhe publikisht prej saj.
2. Shqipëria duhet t’i dorëzojë Greqisë një notë protestë ndaj ekspansionit grabitqar nga 6 në 12 md në Detin Jon, duke e paralajmëruar Greqinë se do ta kontestojë këtë akt sipas të drejtës ndëkombëtare.
3. Nëse Greqia vepron njëanshëm dhe e depoziton në OKB ekspansionin nga 6 në 12 md, atëherë Shqipëria duhet menjëherë të depozitojë në të njëjtin vend kontenstimin zyrtar.
4. Shqipëria duhet të refuzojë Gjykatën Nërkombëtare të Drejtësisë (GjND) pas ekspansionit grek. Në GjND Shqipëria nuk e ka të drejtën të kontestojë zgjerimin e ujërave territorial grek, sepse në GjND nuk lejohet të trajtohen çështje për të cilat nuk bien dakord paraprakisht të dyja palët. Greqia e ka bërë të qartë se në GjND do të trajtojë me Shqipërinë vetëm zonat ekonomike dhe shelfin kontinental pas ekspansionit nga 6 në 12 md. Shqipëria ka vetëm një mundësi për ta mbrojtur territorin me ligj ndërkombëtar: aktivizimin e Aneksin 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit. Përmes Aneksit 5, Shqipëria gëzon të drejtën ta konstestojë në një tjetër Gjykatë ekspansionin e Greqisë, edhe nëse Greqia nuk është dakord. Negociatat për shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike nuk mund të nisin, dhe nuk duhet të çohen në asnjë gjykatë, pa kontestuar një herë ekspansionin grek në Detin Jon.
Një nga gjërat më të rrezikshme që mund të ndodhë, është që para zgjedhjeve të 25 prillit, Shqipëria të nënshkruajë një tjetër traktat të miqësisë me Greqinë, ku e detyron veten që çështjet e Detit Jon t’i trajtojë me Greqinë vetëm në GjND. Nëse kjo ndodhë, atëherë jo vetëm kjo qeveri, por edhe ato që do të vijnë do humbisnin të drejtën e kontestimit të ekspansionit grek duke humbur njëherë e mirë territorin tonë detar. Këtë duhet ta ndalim me çdo kusht./GazetaShqip