SHBA shton prezencën në Shqipëri, mijëra trupa të NATO do të dislokohen në vend, kontrollin e detit e marrin amerikanët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur që të shtojnë prezencën në Shqipëri. Teksa ishte folur gjatë prezantimit të projektbuxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zbuloi ditën e djeshme se vitin tjetër në Shqipëri do të organizohet një nga stërvitjet më të mëdha që janë zhvilluar ndonjëherë.
Stërvitja “Defender-2021”, një stërvitje dypalëshe me SHBA, do të sjellë 8 mijë trupa amerikane, që sipas zonjës Xhaçka, do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura. “Kërkesat për stërvitje të FA, janë po ashtu një zë shumë i rëndësishëm sepse këto stërvitje janë jetike për rritjen e performancës dhe profesionalizmit të forcave tona.
Në këtë pikë dua të ndaj me ju disa detaje lidhur me një nga stërvitjet më të mëdha, që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Stërvitja Defender-2021, një stërvitje dypalëshe me SHBA; është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe do të marrim pjesë mbi 8.000 trupa amerikane, që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura.
Për më shumë detaje, nëse jeni të interesuar, kam në krah dhe shefin e SHPFA, i cili mund të ndalet dhe më teknikisht nga ana operacionale”, deklaroi ajo. Më tej gjatë fjalës së saj ministrja Xhaçka tha se kontrollin e detit dhe radarët e Shqipërisë e marrin amerikanët.
“Kërkesat për mbështetjen me shërbime të tjera, ku më të rëndësishmet janë: furnizimi me karburant i strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, siguracione të ndryshme si për personelin, ashtu dhe për pajisjet e FA, shërbime me të tretë, etj.
Kërkesat për gatishmërinë dhe mirëmbajtjen, të cilat synojnë rritjen e nivelit të gatishmërisë së strukturave të FA dhe rritjen e nivelit të mirëmbajtjes së sistemeve, pajisjeve dhe mjeteve për të mbajtur dhe arritur kapacitetet operacionale të kërkuara.
Në këtë kontekst, këtë vit do të kemi një risi të shtuar, atë të pjesëmarrjes së gjigantit të industrisë ushtarake amerikane Lockeed Martin, si në Sistemin e Mirëmbajtjes së Vëzhgimit të Hapësirës Detare, ashtu edhe atë të implementimit të Radarit të Midës për Forcën Ajrore”, nënvizoi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.