VIDEO+FOTO/ Vdiq nga Covid, ceremoni frenetike për lamtumirën e Amfilohije :Gjukanoviç e bojkoton, Vuçiç e nderon

Ceremonia funebre Mitropolitit të Malit të Zi, Amfilohije është kthyer në një grumbullim spektakolar panserb në Podgoricë, ku kanë marrë pjesë të gjithë krerët politikë të serbëve në rajon nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kreu i Republika Srbska në Bosnjë, Milorad Dodik, por edhe krerë partish, biznesmenë e emra të famshëm të botës serbe.
Ceremoninë e ka drejtuar Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej dhe një lumë i madh njerëzish po marrin pjesë, duke shkelur në mënyrë të hapur rregullat e distancimit social.
Njerëz që janë ngjitur në tubim, pjesa më e madhe pa maska ku të gjithë puthin trupin pajetë të Amfilohijes. Mali i Zi është një nga shtetet më të prekur nga Covid 19 në rajon, nga vendi që në fillim të pandemisë kishte numrin më të ulët. Në rrjetet sociale, shumë veta, duke ju referuar ceremonisë live funebër kanë shkruar se “korona po bën namin në këto momente, a do na ruajë Zoti nesër kur nuk ruajti njeriun e vet”.
Portali rus Sputnik po transmeton direkt ceremoninë funebër së bashku me televizionin publik serb dhe atë të Republika Srbska-s në Bosnjë.
“Zoti i dhuroftë mbretërinë e qiellit shërbëtorit të tij besnik,” tha Irinej Buloviç, Patriarku i Kishës ortodokse Serbe.
Në ceremoni nuk ka marrë pjesë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, por as shqiptari Dritan Abazoviç, i cili është pjesë e koalicionit qeveritar me partitë filoserbe. Ndërkaq, ishte prezent, Kryeministri i mandatuar Zdravko Krivokapiç, kryeparlamentari Aleksa Beciç dhe kryebashkiakët e Kotorit, Tivatit e Budvas.
Amfilohije, ishte i fundmi i “triumviratit” të klerikëve serbë që u bënë të njohur gjatë kohërave të luftërave në Ballkan, ku përkrahën kauzën e Serbisë së Madhe. Ai ishte pjesë e tre A-ve: (Artemije, Amfillohije, Atanasije).
Ai tha për Srebrenicën se ishte një “hakmarrje pritshme e serbëve”, kurse kur serbët bombarduan Dubrovnikun në vitin 1991, ka shkuar në fushëbetejë duke u kënduar me lahutë vullnetarëve famëkeq. Në vitin 991 në manastirin e Cetinjës bekoi kreun e paramilitarëve serbe Vojislav Sheshel dhe paramilitarin famëkeq Zhelko Razhnatoviç – Arkani.
Me Gjukanoviçin ka pasur një marrëdhënie komplekse: nga “bashkëpunëtori” më i ngushtë deri tek armiku më i madh.
Gazeta Shqip