Basha, Ramës: Ke humbur kontrollin mbi pandeminë, spitalet në kolaps

Kryedemokrati Lulzim Basha i është kundërpërgjigjur sulmeve të kryeministrit Edi Rama sa i përket përbërjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve që merret me situatën pandemike të Koronavirusit.
“Rama ka humbur çdo kontroll mbi pandeminë. Kemi testimet më të ulëta në Europë, numrin më të ulët të mjekëve dhe spitalet në kolaps vetëm sepse ai nuk heq dorë nga vjedhja me inceneratorë e koncesione.Pasi shkatërroi ekonominë tani ai po shkatërron jetën dhe shëndetin e njerëzve”, replikon Basha në një postim në rrjetet sociale.
Më herët Rama postoi një video duke hedhur poshtë akuzat rivalit të tij politik që një ditë më parë e cilësonte Komitetin fasadë, pasi vendimet i merrte qeveria.
Rama në reagimin e tij jepte edhe përbërjen e Komitetit duke i shoqëruar me një CV të shkurtër të anëtarëve, si dhe akuzoi Bashën si shpifës e për këtë nuk ka sëmundje që e shoqëron.