OKB i vuri embargo/ Si mbijetuan serbët, grupet kriminale jepnin armë dhe merrnin naftë

Embargoja ndërkombëtare, që u vendos nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 1992-1996, krijoi shumë probleme dhe vështirësi në Jugosllavi dhe pati efekte anësore edhe mbi shtetet fqinje, por, nga ana tjetër, krijoi hapësira dhe mundësi për aktivitete kriminale.
Gjatë kësaj periudhe tregu i zi fitoi një rol të dorës së parë në sigurimin e atyre pak mallrave të konsumit që qarkullonin në këto vende. Për shembull, kroatët dhe boshnjakët kishin nevojë për armë, pasi fillimi i luftës i kapi në disavantazh, ngaqë pjesa më e madhe e armëve dhe mjeteve të Ushtrisë Popullore Jugosllave u transferuan në Serbi dhe Mal të Zi, dhe më pas Kombet e Bashkuara vendosën një embargo armësh në vitin 1992.
Boshnjakët e rrethuar në Sarajevë kishin nevojë për armë, municione, karburant dhe ushqime për të mbijetuar, ndërsa Serbët kishin nevojë për karburant. Tregu i makinave të vjedhura po lulëzonte. Në mënyrë që të anashkaloheshin sanksionet shpesh dilte nevoja që të bëheshin marrëveshje me armikun: kroatët blinin armë nga serbët, ndërsa serbët blinin karburant nga boshnjakët dhe kroatët.
Kur nisi të ndihej ndikimi i sanksioneve, udhëheqja në Beograd filloi të varej gjithnjë e më tepër nga pazaret dhe tregjet kriminale për të siguruar mallra të nevojshme. Në atë kohë tregu i zi ishte e vetmja rrugë për të ruajtur paqen sociale në Beograd. Kështu që shteti po mundohej të bashkëjetonte me të.
Qeveria e Slobodan Millosheviçit përzjeu së bashku forcat e ruajtjes së rendit dhe shërbimet sekrete, me individë të përfshirë me krimin e organizuar, jo vetëm për të krijuar marrëdhënie me interes reciprok, por edhe për të pasur nën kontroll tregun e zi dhe ekonominë gri.
Kontrabanda ishte në interes të shtetit dhe në disa raste drejtohej nga vetë shteti. Në një farë mënyre, tregtia e paligjshme në tregun e zi u kthye në një aktivitet legjitim. Për shembull, ka zëra se Sigurimi Shtetëror i Serbisë financohej pjesërisht nga fonde që vinin nga shitja e mallrave (duke përfshirë edhe drogat) që konfiskoheshin nëpër doganat.
Po kështu, qeveritë në Beograd dhe Podgoricë ishin përfshirë në kontrabandën e cigareve, që ishte një burim i pasur i valutës së huaj. Llogaritet se qeveria malazeze fitonte rreth 700 milionë dollarë në vit nga tregtia e cigareve, që kryesisht zhvillohej me Italinë. Sanksionet po dëmtonin rëndë edhe ekonomitë e disa vendeve fqinje.
Për pasojë, e vetmja mënyrë për të gjetur para për të paguar pensionet, rrogat, dhe për të mbajtur spitalet hapur, ishte që të lejonin grupet kriminale që të përdornin lirshëm korridoret kryesore tregtare të vendit, duke u hequr sikur nuk dinin gjë, sikur nuk kishin çfarë bënin dhe madje përdornin edhe të dyja justifikimet së bashku.
Me thellimin e krizës u forcua edhe marrëdhënia simbiotike midis politikës dhe krimit. Sasi të mëdha nafte kalonin kontrabandë nëpër Liqenin e Shkodrës, nga Shqipëria në Malin e Zi, si dhe nëpërmjet kufirit tokësor të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në fakt, shkelja e sanksioneve, kufijtë e rinj të krijuar nga prishja e ish-Jugosllavisë, hapësirat dhe mundësitë e reja për të zhvilluar kontrabandë, sollën pasoja të papritura në zhvillimin e grupeve kriminale, dhe rritjen e ndikimin të tyre në ekonomitë e disa vendeve fqinje.
Disa nga veçoritë dhe karakteristikat e ekosistemit të krimit që vazhdojnë të ekzistojnë në shumë zona të Ballkanit janë rezultate të luftës në Jugosllavi dhe ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar..
Larg nga fronti i luftës, brenda vendit krimi i organizuar po lulëzonte. Armët gjendeshin me lehtësi; lufta dhe sanksionet kishin shkatërruar ekonominë, dhe kishin shkaktuar hiperinflacion. Gjatë dy viteve të para të luftës, të paktën 300,000 të rinj e braktisën Jugosllavinë; ndërsa për ata që mbetën mundësitë ishin të pakta. Ashtu si paraqitet edhe në filmin The Wounds (Plagët), një film i prodhuar në vitin 1998 nga Serxhan Dragojeviç (Sr?an Dragojevi?), shumë të rinj ndiheshin të rrënuar dhe të braktisur.
Të vetmit njerëz me para dhe pushtet ishin gangsterët që ktheheshin nga perëndimi apo që përfitonin nga ekonomia e luftës. Ndërkohë që shumë nga gangsterët që kishin bërë emër në perëndim gjatë viteve 80 u bashkuan me forcat paraushtarake, kriminelët e rinj po shijonin suksesin në qytetet kryesore. Ashtu si tregohet edhe në dokumentarin me titull Shihemi në Njoftimet e Vdekjes (See You in the Obituary), kriminelëve, që shpesh ishin nën efektin e drogave, u pëlqente dhuna dhe fama po aq sa edhe paratë që fitonin nga krimi i organizuar.
Si rezultat i dhunës ndërmjet bandave rivale, veçanërisht në zonat e Beogradit të Ri, dhe Vozdovac, numri i vrasjeve në kryeqytetin serb u dyfishua gjatë dy viteve të para të luftës. Aty rreth vitit 1992, të rinjtë e përshirë në aktivitete kriminale filluan të visheshin sipas një stili të veçantë, me tuta sportive, atlete, me flokë të prera shkurt, syze dielli, dhe mbanin zinxhirë floriri shumë të trashë./Gazeta Shqip