Asnjë gjobë e vjelur për maskat, OSHEE nuk i faturon pasi mungon kuadri ligjor

Nga 10 mije gjoba që janë vendosur për mos mbajtjen e maskës, asnjëra prej tyre nuk është paguar.

Burime nga Policia e Shtetit thanë për Televizionin Klan se gjobat janë regjistruar në sistem dhe i janë dërguar OSHEE për t’u vjelë, ashtu siç parashikon Akti Normativ.

Por asnjëra prej tyre nuk është marrë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke bërë verifikimin e emrave të të penalizuarve që kanë kontratë të lidhur me të.

Për nisjen e procesit të vënies së gjobës në faturën e dritave, OSHEE pret miratimin e udhëzimit të përbashkët të Ministrit të Financave, Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Shëndetësisë për mënyrën e vjeljes.

Ky udhëzim do të përcaktojë nëse gjoba do të vilet për shkelësin që ka kontratë të lidhur, apo edhe për pjesëtarët e familjes së tij.

Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se OSHEE ka dërguar një opinion në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në të cilin është shprehur se gjoba mund të merret vetëm nëse i është vendosur personit që ka kontrate për energjinë elektrike. Në rastet e tjera, gjoba do t’i kthehet mbrapsht Policisë së Shtetit.

Pas botimit të udhëzimit të përbashkët të 3 ministrave, OSHEE do të dërgojë për miratim modelin e ri të faturës pranë Entit Rregullator të Energjisë dhe Drejtorisë së Tatimeve, e më pas do të nisë vjeljen e penalitetit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT