Arsyet përse Lulzim Basha është fokusuar në menaxhimin e Covid nga qeveria

Nga Ylli Pata

Ka mbi dy javë që Lulzim Basha e ka përqendruar dhe po e synon ta fokusojë debatin politik në vend në lidhje me menaxhimin që qeveria po i bën pandemisë së Covid-19, ku infektimet kanë pësuar rritje, së bashku edhe me rastet e humbjes së jetëve apo edhe incidenteve fatkeqe siç ishte rasti i vetëvrasjes së një pacienti në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Kjo taktikë duket se e ka shqetësuar jo pak qeverinë, ku Rama po i përgjigjet ‘flakë për flakë’ rivalit të tij, duke përdorur një taktikë po në këtë temë, ku nga njëra anë kundërshton me fjalë apo edhe me video të kuruara argumentet e PD-së, por edhe duke bërë diversion brenda opozitës, ku LSI ka një qëndrim më negacionist (kundërshtues) për pandeminë.

Një strategji kjo e Bashës që duket e studiuar në dy aspekte të saj; në radhë të parë synon të sfidojë qeverinë në çështjen më të rëndësishme që shqetëson jo vetëm shqiptarët por gjithë botën, ku natyrisht me kalimin e muajve që nga marsi, situata majiset dhe strukturat shëndetësore diku do të çedojnë, diku do të ndjejnë presionin, por edhe rritja e numrave krijon probleme të mëdha.

Nga ana tjetër, i jep vetes dhe opozitës një “veshje” më serioze dhe konstruktive, duke synuar kështu elektoratin gri, ku realisht edhe bëhet gara në rang kombëtar e sidomos në qarqe si Tirana apo Durrësi etj.

Edhe në vende të tjera të botës debati politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës po bëhet kryesisht në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Në SHBA, Covid-19 është argumenti kryesor i betejës për zgjedhjet presidenciale, në Britaninë e Madhe gjithashtu është çështja kyçe e debatit politik, ndërkaq edhe në Ballkan po ndodh e njëjta gjë. Në Maqedoninë e Veriut, vend ku Covid-19 po përjeton shifra të rritura opozita po sulmon fort qeverinë e në veçanti ministrin e Shëndetësisë Filipçe, që është figura kryesore në menaxhimin e pandemisë.

Por a ngjit në Shqipëri si argument diskursi mbi pandeminë? Natyrisht që edhe tek ne ku qytetarët janë të shqetësuar jo thjesht për shëndetin, por edhe për pasojat që pandemia po jep në situatën ekonomike e sociale, debati mbi këtë çështje shikohet me interes.

Vetëm këtu ka një kleçkë; që të mbahet ky debat i gjallë, i ndezur dhe me një intensitet deri më 25 prill, duhet që të mbizotërojë argumenti më shumë sesa loja e sloganeve dhe sulmet propagandistike.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT