Vetëvrasja e katërt/ I moshuari me Covid hidhet nga pallati sapo doli nga spitali

I jep fund jetës një tjetër i sëmurë me covid në vendin tonë. ABC ka mësuar se 77-vjeçari është hedhur nga ballkoni i shtëpisë në katin e tretë të këtij pallati që shihni në pamje, në zonën e Shkozës. Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës. Ai u dërgua në spitalin e traumës por pas disa orësh nuk mundi t’i mbijetojë plagëve në trup.
Para një jave, ai kishte dalë pozitiv me koronavirus. I moshuari u shtrua në spitalin infektiv ku iu nënshtrua terapisë mjekësore. Ditën e dielë 77-vjeçari iu nënshtrua sërish tamponit. Sipas mjekëve ai ishte negativizuar. Pas kësaj përgjigje, mesditën e së hënës, ai la spitalin. Por vetëm pak orë më pas, ai ndërmori aktin ekstrem.
I moshuari, babai i 5 fëmijëve jetonte vetëm në banesë. Jashtë kamerave, një prej fqinjëve tregon gjendjen e 77-vjeçarit kur mbërriti në banesë nga infektivi. “E sollën atë ditë nga spitali. Edhe bombolën e oksigjenit e kishte, e kishin marrë. 4-5 ditë kishte në spital. Atë pikëpyetje kemi edhe ne. Si e nxori mjekësia nga spitali kur ai ishte pa qejf. Unë kam kontakt me nusen edhe më tha që babai nuk është keq që u rrëzua, se u rrëzua butë nëpër pemë, por ka probleme me Covid-in” tha njëri. Fqinjët shprehen të shqetësuar për përhapjen e virusit në pallatin e tyre. “Kemi plot këtu me covid, çfarë të bëjmë. Vëmë maskën edhe ja”.
Një muaj më parë, 77-vjeçari kishte humbur pas një sëmundje të rëndë një prej vajzave që jetonte në Greqi. Kjo fatkeqësi por dhe trauma e shkaktuar nga covid kanë qenë shkaqet që kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij psikologjike, pas së cilës ndërmori dhe aktin ekstrem. Gjatë kohës së pandemisë, 3 pacientë me koronavirus u hodhën nga lartësia nga spitali Shefqet Ndroqi, duke ndërruar jetë në vend.