“Nuk u intereson terroristëve Shqipëria, u duhen vende për të cilat bëhet zhurmë. Ne jemi vend i vogël, plus e dallojmë të huajin edhe kur ecën në rrugë”

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, komentoi per mediat, sulmet e fundit terroriste, që tronditën mbrëmjen e kaluar Vjenën e Austrisë dhe pak ditë më parë Francën.
Klosi tha se terroristët kanë si qëllim të trembin Evropën dhe i kryejnë sulmet aty ku mendojnë se aktiviteti i tyre ka efekt më të lartë.
Duke u ndalur te Shqipëria, ish-kreu i SHISH deklaroi se terroristët vijnë në vendin tonë, pasi e shohin të sigurt për t’u fshehur, por jo për të kryer sulme.
“Ata e kanë shumë të qartë që këto aktivitete përfundojnë ose me vrasjen e tyre, ose me burgim. Ata e kanë bërë llogarinë, shumë rrallë arrijnë të fitojnë. Kështu që ata nuk e bëjnë këtë se do të bëhen heronj, por ata japin një mesazh. Ishte ISIS, që bëri një deklaratë, kur thanë që do të ikin nga Siria, por do të jenë në Evropë. Kryesore për ta është zgjedhja e një vendi dhe një momenti, kur bën efektin më të madh” – thotë Klosi.
Ai shton se Shqipëria nuk përjashtohet nga rreziku, por vështirë se mund të jetë target i sulmeve të tilla.
“Shqipëria është një vend ku këta njerëz, aq sa kanë qenë, në kohën kur isha unë në shërbim, kemi pasur probleme me ta, vijnë më shumë për t’u fshehur, sesa për të bërë aktivitete.
Shqipëria ka qenë një vend i mbyllur dhe bashkëpunimi me partnerët është i vonshëm, ndaj dhe quhej një vend i sigurt për ta. Edhe ne i mirëpritëm, ku mes tyre kishte dhe terroristë. Duke parë frymën miqësore, ata e panë Shqipërinë si të sigurt, por që jo për të bërë sulme.
Shqipëria nuk është zgjedhur prej tyre si një vend ku bën efekt, veprimtaria e tyre lidhet me efektin që bëjnë aktivitetet. Ata nuk shpresojnë të shpëtojnë, por të lënë efekt, sa u trembën austriakët. Nëse policia franceze merr masa të rrepta, ata mendojnë se e kanë kryer detyrën. Kaq kanë në dorë ata.
Shqipëria ka dhe një gjë tjetër, sot vërtet është bërë një vend ku kalohet kollaj, por këtu të huajt evidentohen më kollaj. Shqipëria nuk ka qenë mësuar me të huaj, është një fenomen që po ndodh këto 30 vite.
Ne jemi në gjendje ta identifikojmë një të huaj edhe në rrugë. Kjo i bën të vështirë terroristët të qarkullojnë në Shqipëri pa rënë në sy. Nuk është aq kollaj në Shqipëri, është vend i vogël” – thotë ish-kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar.