Akuzat për “vjedhje votash”, OSBE del kundër Trump: Pretendimet e pabazuara, po cënon besimin

Nuk ndodh vetëm në vende me demokraci të pazhvilluar që të kontestohen zgjedhjet. Ajo që po ndodh në SHBA, ku kandidati Joe Biden kryeson ndaj presidentit aktual Donald Trump, ka shqetësuar edhe OSBE.
Vëzhguesit e OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) dënon pretendimet e presidentit të SHBA, Donald Trump në lidhje me “vjedhjen” e zgjedhjeve presidenciale nga demokratët.
Në një deklaratë të sajën, e publikuar edhe në faqen zyrtare në internet, OSBE/ODIHR, dënon pretendimet e presidentit aktual të SHBA.
“Askush, asnjë politikan, asnjë zyrtar i zgjedhur, nuk duhet të kufizojë të drejtën e njerëzve për të votuar. Pas një fushate kaq dinamike, numërimi i çdo vote është një detyrim themelor për të gjitha degët e qeverisë”, shprehet Michael Georg Link, Koordinator Special dhe Drejtues i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE.
“Pretendimet e pabazuara për mangësi sistematike, veçanërisht nga Presidenti në detyrë, përfshirë natën e zgjedhjeve, dëmtojnë besimin e publikut në institucionet demokratike”, vijon deklarata e OSBE/ODIHR.
“Demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet”, Trump po mbledh fonde për betejën ligjore
Skuadra e fushatës së presidentit Donald Trump ka filluar mbledhjen e fondeve një ditë pas zgjedhjeve për të nisur betejën ligjore kundër rezultatit të zgjedhjeve, pasi vetë presidenti ka hedhur dyshime mbi të me javë të tëra para ditës së zgjedhjeve.
Pjesëtarët e fushatës së Trump kanë nisur 6 emaile që prej mesnatës, duke kërkuar para. Në kërkesë është shkruar specifikisht që demokratët po përpiqen të “vjedhin” zgjedhjet. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë dëshmi që në shtetet ku po zhvillohet beteja për votat e Kolegjit Zgjedhor të ketë parregullsi.
Gjatë një tubimi në Kenosha, Uiskonsin, një ditë para zgjedhjeve, Tump tha se avokatët e tij do të luftonin fort për votat.