Partia e Ramush Haradinaj kërkon mbledhje urgjente të Qeverisë së Kosovës: Aleatët të na thonë jemi në rrugën e duhur, apo po kthehemi mbrapa?!

Alealca për Ardhmërinë e Kosovës, parti e Ramush Haradinaj, kërkon që të mblidhet me urgjencë Qeveria e Kosovës, pas arrestimit të disa zyrtarëve të lartë atje, ish-komandant e drejtues të UÇK-së, si dhe pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përcjellë me shqetësim zhvillimet pas aktakuzave të Dhomave të Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së! Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse, kundër pushtetit kriminal e gjenocidal serb, dhe do të dëshmohet si shumë herë më parë, pastërtia e saj”, thuhet në deklaratën e partisë së Haradinajt.
– AAK kërkon:
1. Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re
2. Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme
3. Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë
4. Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese
Në fund, AAK pyet aleatët strategjik ndërkombëtarë të Kosovës: A jemi në rrugën e duhur për antarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa?