Kthen mbrapsht ligjin “Për gjendjen civile”, Meta: Fshihen interesa elektorale, pasoja te ndarja e mandateve

Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht për rishikim ligjin ‘Për gjendjen civile’. Në argumentimin e presidentit kjo nismë bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe si e tillë ajo duhet të rishikohet.
Por kreu i shtetit hedh një argumentim tjetër se kjo mund të përdoret për qëllime elektorale të mazhorancës, për të bllokuar zgjedhësit.
“Një ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend. Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 38/1, parashikon se “kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit””, thuhet në argumentimin e kreut të shtetit.
Ligji, sipas kreut të shtetit ka parashikuar një sistem aktiv përditësimi nga ana e shtetasve, sipas të cilit shtetasi ka lirinë të zgjedhë vendbanimin, por ka njëkohësisht dhe detyrimin ligjor ta deklarojë dhe regjistrojë atë në zyrën e gjendjes civile ku ndodhet vendbanimi ku shtetasi ka zgjedhur lirisht të jetojë/banojë.
Ky detyrim i shtetasve nuk është deklarativ por është i lidhur me sanksione ligjore konkrete. Ligji parashikon që përveç gjobës, shtetasit i ndërpriten edhe shërbimi në gjendjen civile. Këto sanksione dhe masa shtrënguese janë vendosur si masa shtesë që të detyrojnë shtetasin, si rregull, të kryejë veprimet e nevojshme në lidhje me regjistrimin e vendbanimit.
Pjesë nga argumenti i presidentit
Ky propozim nga deputetë të pozitës, dhe që nuk vjen nga ministria përgjegjëse që mbulon çështjen, në mënyrën si është formuluar për të lehtësuar lëvizjet në vijim, dhe jo për të lehtësuar qytetarët që nuk kanë deklaruar në kohë, e bërë në një situatë parazgjedhore, krijon një hapësirë më shumë për t`u keqpërdorur për qëllime politike.
Ai jo vetëm do të çlironte shtetasit që tashmë e kanë ndryshuar vendbanimin dhe nuk e regjistrojnë atë për shkak se pengohen nga sanksionet, por do të hapte mundësinë për ndryshime abuzive në muajt në vijim që përkojnë me fazën më kritike të hartimit të listave të zgjedhësve deri në miratimin e listave përfundimtare.
Parë në tërësinë e situatës në vend, klimës së mosbesimit të forcave politike midis tyre, shoqëruar me ndryshimet e njëanshme kushtetuese të datës 30 korrik 2020 dhe atyre të Kodit Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, çdo dyshim mbi qëllimet e përfitimit politik prej mazhorancës për këtë nismë ligjore është i mëse i besueshëm.
Në ato zona ku mazhoranca qeverisëse e ndjen veten të dobët politikisht, tashmë pa asnjë kufizim mund të nxisë lëvizjen apo transferimin e gjendjes civile, në formën e vetëdeklarimit “të vonuar” (sikur ka ndodhur ky transferim edhe muaj më parë) dhe këto lëvizje të regjistrohen në një njësi të caktuar pa asnjë penalizim apo kufizim kohor, edhe shumë afër datës së zgjedhjeve. Kjo do kishte impakt direkt të pakontrolluar edhe në listat e zgjedhësve.
Një ndryshim i tillë në këtë fazë të procesit zgjedhor ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë acarimin e jetës shoqërore në vend.
Për më tepër, Kodi Zgjedhor parashikon rishikimin periodik të shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve për zgjedhjet për Kuvendin. Aktualisht mungon informacioni dhe transparenca për publikun për procesin e rishikimit të shpërndarjes së mandateve që përfshin Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ky proces ka rëndësi shumë të madhe kushtetuese por edhe politike. Saktësia dhe transparenca e tij jo vetëm ndihmojnë në arritjen e standardeve ndërkombëtare në zgjedhje, por edhe në besueshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve nga publiku dhe forcat politike të përfshira në zgjedhje.
Shpërndarja e mandateve bëhet ekskluzivisht mbi bazën e numrit të shtetasve që kanë regjistruar vendbanimin në secilin qark.
Ndryshimi i numrit të shetasve me vendbanim në secilin qark mund të çojë në ndryshim të përfaqësimit të secilit qark në Kuvend, nëpërmjet uljes apo rritjes së numrit të mandateve përkatës.
Prej kohësh në media raportohen informacione kontradiktore në lidhje me qarqet që do të preken nga ndryshimi i numrit të mandateve, gjë që ka përbërë bazë për hipoteza në lidhje me keqpërdorjen e procesit të shpërndarjes së mandateve me qëllim të krijimit të avantazhit politik, duke spostuar mandate nga një qark në tjetrin, sipas interesit për rezultat zgjedhor sa më të favorshëm.
Kjo situatë është krijuar nga mungesa e informacionit dhe transparencës për publikun nga institucionet përgjegjëse për shërbimin e gjendjes civile, që administron të dhënat e vendbanimit të shtetasve mbi bazën e të cilave më pas përllogaritet shpërndaja e mandateve.
Procesi i rishikimit periodik të shpërndarjes së madateve është thelbsisht i lidhur me regjistrimin e vendbanimit të shtetasve.
Një situatë e paqëndrueshme, apo që jep hapësirë për regjistrime fiktive kaq pak kohë para zgjedhjeve dhe pikërisht para momentit të rishikimit ligjor të shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve, do të cenonte rëndë përfaqësimin parlamentar, procesin zgjedhor dhe besimin politik tek procesi zgjedhor.
Ky fenomen është ngritur prej shumë vitesh në kuadër të reformës zgjedhore që me ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore në vitin 2017, si dhe ka qenë pjesë e programit të punës dhe diskutimit në Këshillin Politik ku nuk është panuar nga pala që përfaqëson mazhorancën që të merren masa të tjera shtesë jashtë Kodit Zgjedhor.
Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke konsideruar ndikimin e rëndësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike.
Duke dashur disiplinimin e kësaj kategorie sjelljeje për një të dhënë sensitive dhe të dosmosdoshme, legjislatori, pas adresimit të çështjes nga propozuesit dhe komisioni përkatës shqyrtues, duhet të gjejë rrugën e duhur për të shmangur përdorimin e ndryshimit të ligjit për këto qëllime.
Nga ana tjetër, në funksion të mos rëndimit të qytetarëve që janë vërtet subjekt i këtij sanksioni, është detyrë e ligjvënësit të gjejë mekanizmin e duhur për të evidentuar dhe më pas falur penalizimet e marra, por për një periudhë shumë të kufizuar kohe (maksimalisht 30-ditë), pa lejuar keqpërdorimin e kësaj faljeje për qëllime të tjera dhe në mënyrë të vazhduar pa kufij.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Për gjithë sa u parashtrua më sipër, duke vlerësuar se ky ligj nuk adreson në mënyrën e duhur qëllimin që deklarohet, shkakton trajtim të pabrarabartë mes qytetarëve, nuk realizon as interesin madhor publik për evdientimin e adresave të sakta të banimit, dhe mbart rrezikun për keqpërdorim për qëllime zgjedhore, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 130/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, ‘Për gjendjen civile’, të ndryshuar”. /Gazeta Shqip