“Sqaro popullin”/ Rama, Bashës: Nuk kalohet me sharje, e kaluara jote si hetues i UÇK-së

Nuk ndalen replikat ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Kreu i PD-së, Basha sulmoi Ramën për mungesën e plani për përballimin e situatës së Covid, ndërsa kryeministri iu kundërpërgjigj se po e përdor pandeminë për qëllime politike.
Por Rama nuk është mjaftuar me kaq në replikën e tij, duke i kujtuar Bashës historinë e UÇK-së, ku vite më parë ai ka qenë përkthyes i grupit hetimor për vërtetimin e akuzave të raportit Dick Marty dhe pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë”.
“Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin! “Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë” Human Right Ëatch”, shkruan Rama, duke cituar edhe deklaratën e një zyrtari të kohës.
Më herët Rama, mbajti këtë status: “Ti synon panikun dhe çoroditjen me dezinformimet e përditshme, por kjo sjellje mizerabël prej kalamani të llastuar që do me çdo kusht lodrën e vet, do të të kthehet mbrapsht si një shuplakë më shumë nga ky popull që nuk e bën dot për budalla, as ti,as Mona,as Likja e as Saliu!”.