“Rexhep Selimi prapa vrasjes së Xhemajl Mustafës”, a do ta zbulojë të vërtetën shokuese në Gjykatën Speciale?

Ish bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe ish kolumnisti i gazetës “Bota sot”, Xhemajl Mustafa u vra mizorisht më 23 nëntor të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.
Në vitin 2016, vajza e Xhemajl Mustafës, Beriane Mustafa kishte pyetur Selimin se a ka dhënë ndonjë informatë për vrasjet që kanë ndodhur sa ishte ministër në kuadër të Qeverisë së përkohshme.
“Prenë Rexhep Selimi prenë për nder….A ka thane noj here ndonjë informate për vrasjet qe kane ndodhë …në kohën sa ishte ministër i rendit publik, në kuadër të qeverisë së përkohshme….po nejse nuk është që edhe LDK ka bërë ndonjëherë diçka për me i zbardhe këto vrasje!”, kishte shkruar Mustafa në profilin e saj në Facebook.
“Ne kemi kërkuar atëherë nga Prokuroria dhe organet e drejtësisë që këto çështje t’i hulumtojnë, të gjejnë fajtorin, kemi kërkuar edhe nga EULEX-i sepse kjo lëndë ka qenë dhe është bartë gjatë edhe përmes EULEX-it. Dhe ne vazhdimisht do të kërkojmë çështjet të sqarohen, të gjitha ato që janë në suaza të kohës që mbulon gjykata speciale natyrisht që do të mbulohen nga gjykata speciale. Mirëpo, ka edhe shumë raste për të cilat duhet të veprojnë organet vendore të drejtësisë”, kishte thënë në vitin 2017 Beriane Mustafa.
“Flitet për Rexhep Selimin, ka qenë një fjalim i tij ku mas një kronike që është përgatit prej klankosovës, për një polic dhe prej një deputeti të Kosovës, jo që unë e kam ditë që behet fjalë për Rexhep Selimin, por që shfajësimi i tij disa ditë mbrapa në Kuvend, m’len me besu që është bo për to. A qëndron Rexhep Selimi mbrapa kësaj vrasjes apo mbrapa urdhrit për këtë vrasje, është prokuroria e shtetit e cila duhet me i trokit në derë Rexhep Selimit dhe me i thonë hajde urdhno”, kishte thënë Beriane Mustafa.
Kurse, atë kohë, Selimi kishte thënë se është i hapur që të kontaktohet nga Prokuroria për vrasjen e Xhemajl Mustafës.
E tash, kur jemi në vitin 2020, ndër personat ndaj të cilëve Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë është edhe Rexhep Selimi. Përveç tjerash, në aktakuzën ndaj Selimit dhe të tjerëve, ata akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.
Për pikën e akuzës për vrasje të figurave të LDK-së, Specialja, ndër tjerash përmend se zyrtarë të kësaj partie ishin arrestuar nga të apostrofuarit në shumë lokacione të Kosovës. Sipas akuzës, viktimat ishin rrahur e torturuar deri në vdekje.
Por, çfarë mendon tani Beriane Mustafa kur Rexhep Selimi është i arrestuar nga Gjykata Speciale, a do të zbardhet rasti i vrasjes së babait të saj?

Beriane Mustafa
Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar Beriane Mustafën. Pa dashur të përmend emra, Mustafa ka thënë se pret që ata që kanë dhënë urdhrin e vrasjes së babait të saj të dalin para drejtësisë.
“E tëra që pres është që të vihen para drejtësisë të gjitha ata që dhanë urdhër për vrasjen e babës tem dhe të tjerëve”, ka thënë Beriane Mustafa për gazetën “Bota sot”.