Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve zbulon detaje nga takimi me Ramën: Të detyruar, por jo të kënaqur pranuam ofertën, shpresojmë ndihmë jo lëmoshë

Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj tregoi disa detaje nga takimi i djeshëm me kryeministrin Edi Rama.

Në një prononcim për mediat, Dautaj tha se ishin të detyruar që të arrinin në një marrëveshje, por që nuk janë të kënaqur nga oferta e kryeministrit Rama.

Më tej ai u shpreh se çështja do të shkojë deri në gjykatën e Strasburgut, pasi shteti akoma nuk po iu jep pagat e fituara me gjyq, që gjithsej janë 13 paga.

“Duke parë që për një periudhë të gjatë kohore gjendja e kolegëve po vështirësohej, u mor një vendim që kryeministri Rama do të jepte një zgjidhje. Prej një viti naftëtarët nuk kanë asnjë të ardhur në familjen e tyre. Duke parë se kishim peripeci pafund dhe nuk kishim marrë asnjë zgjidhje në institucione, u arrit takimi që të uleshim dhe të mos zgjatej më. Unë nuk them se është arritur një zgjidhje e kënaqshme, sepse një nga pikat tona kryesore ishte shlyerja e të gjithë pagave tona, që i morëm në gjyq. As zoti kryeministër nuk e merrte përsipër, pasi tha që qeveria nuk e merr përsipër përgjegjësinë që ka kompania. Duke pasur edhe një vendim gjyqësor, do të shkojmë deri në Strasburg. U ofrua një paketë financiare nga Rama për periudhën në vazhdim deri sa të vijë dikush tjetër që do të marrë përsipër rafinerinë. Kolegët të detyruar, por jo të kënaqur u detyruam që të marrim këtë vendim”, tha Dautaj.

Më tej ai tha edhe sa paga kanë fituar me gjyq dhe pse u ndjenë të detyruar që të pranonin propozimin e kryeministrit Edi Rama.

“Patjetër që do vazhdojmë, gjyqi është fituar mbi palën Armo, kjo ka qenë edhe problematika jonë që u parashtrua dje tek kryeministri, nuk është marrë përsipër që t’i japë një zgjidhje këtij problemi. I detyruar që të pyes të gjithë kolegët e mi, sepse vendimmarrja është e tyre, pranuan për arsye financiare. Janë 13 paga 2015-2016 të fituara me gjyq. Nuk është marrë nga Rama që këto paga të paguhen nga shteti. Do të ndjekim rrugën gjyqësore, deri në Strasburg, sepse bukën e fëmijëve nuk ua falim askujt. E vetmja ndihmë që mund të na jepte qeveria është që të detyronte palën humbëse që të jepte pagat. Kjo është një lojë që hidhet topi sa në një anë në tjetrën. Se po të ishte dëshira e mirë do të merrej vendimi më herët”, u shpreh Dautaj.

Gjithashtu kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve zbuloi edhe ofertën e Ramës, për të cilën Dautaj shpreson të jetë një ndihmë dhe jo një lëmoshë nga ana e tij.

“Një nga diskutimet ka qenë edhe marrja e një asistence, duke ditur që jemi flakur në rrugë që nga janari, mosdhënia e librezës, sepse ne u flakëm më rrugë pa asnjë ndihmë financiare. Ne jemi mbajtur me premtimin se shumë shpejt kompania do të fillonte sërish punën. Të detyruar naftëtarët duke mos pasur edhe një zgjidhje tjetër, kuptuam se nuk kishim një zgjidhje tjetër.

I është kërkuar zotit Rama marrja e një asistence nga muaji Janar e deri më sot. Është ofruar kjo nga zotin Rama duke menduar që do vazhdojmë me asistencë. Sepse të marrësh një asistencë ka kleçka të tjera se vetëm nëse njëri familjar punon, nuk e merr asistencën. Nuk e dimë akoma se si do të jetë kjo pagë e asistencës. Do marrim një lloj page mujore midis pagës që merrnim ne dhe asistencës që jepet. Prej muajsh jemi pa asnjë të ardhur, por jo edhe një pagë si lëmoshë që mos të çojmë asgjë në familjet tona. I kemi kërkuar Ramës që mos të vijë një kompani tjetër dhe për 6 muaj do t’i flakë naftëtarët në rrugë”, përfundoi Dautaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT