‘Kërcënime për luftë të dhunshme’, Osmani kërkon ndërhyrjen e BE dhe NATO pas deklaratave të Vuçiç
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejt me Kosovën.
Sipas tij, ajo duhet të vijë përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian, teksa theksoi se situata në Nagorno-Karabak dëshmoi rrezikun e një konflikti të ngrirë.
“Ne duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga ajo që ndodhi në vitet ‘90. Ne nuk duhet t’u lëmë fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë, por duhet të punojmë për një zgjidhje kompromisi”, u shpreh Vuçiç pas takimit me ambasadorët e QUINTIT dhe të BE-së.
Ai shtoi se arritja e një kompromisi do të jetë e vështirë, pasi për këtë duhet të dakordësohen të dyja palët. Presidenti Vuçiç shtoi se pavarësisht se çfarë ndodh, Serbia do të mbështetet në forcat e saj dhe njoftoi se do të vazhdojë me fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të vendit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklarimeve të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili tha se nëse nuk do të ketë zgjidhje përmes procesit të dialogut me Kosovën, atëherë mund të vijë deri te shpërthimi i një konflikti të ngjashëm me Nagorno-Karabak.
Osmani në një postim në Twitter ka kërkuar nga NATO dhe BE-ja të reagojnë ndaj këtyre deklarimeve luftënxitëse të kreut të shtetit serb.
“Pres nga BE dhe NATO t’i përgjigjen këtij kërcënimi për një luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiç”, shkruan Osmani.