Studentja shqiptare diskriminohet në Itali, pedagogia i thotë “tani po na vidhni edhe mbiemrat”

Një studente shqiptare ka rënë pre e diskriminimit për shkak të origjinës, në Universitetin e Firenzes.
23-vjeçarja Laura Rapi, studente e Mjekësisë dhe Kirurgjisë, ka denoncuar në Facebook episodin e pakëndshëm me pedagogen në këtë Universitet.
Siç raportojnë gazetat italiane “Il Tirreno” dhe “La Repubblica”, pedagogia italiane, pasi mësoi origjinën shqiptare të studentes, e cila është shtetase italiane, iu drejtua me fjalë të pahijshme duke i thënë se “tani ju shqiptarët po na vidhni edhe mbiemrat ne italianëve”.
Studentja shqiptare shprehet se e shokuar nga deklarata e mësueses, nuk i ktheu dot përgjigje.
“Dhe në atë moment, për fat të keq, si ndodhi dhe vazhdon të ndodhë me shumë femijë emigrantë, nuk dija t’i jepja përgjigje të kenaqshme një komenti racist”, thotë ajo.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Universiteti i Firenzes, duke thënë se ankesat për pedagogët duhet të bëhen përmes një raporti te Mbikqyrësi i Studentëve.