Edhe ish-deputeti SOCIALIST e takoi Bellanicën dhe pa KASETËN e masakrave serbe në Kurshë (EMRI-PAMJET)

Jo vetëm kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, edhe një ish-deputet socialist e ka parë kasetën me pamjet e masakrës serbe në Krushë, filmuar nga Milaim Bellanica.
E ndërsa Basha akuzohet nga Bellanica se në rolin e mbledhjes së provave për UMNIK, e mori kasetën me pamjet e rënda të masakrës duke mos e bërë kurrë publike, një tjetër politikan shqiptar duket se ka patur qasje ndaj pamjeve filmike.
Bëhet fjalë për ish-deputetin socialist Dashamir Peza, i cili në vitin ’99 ishte shoqërues dhe përkthyes i gazetarit britanik George Alagiah.
Peza dallohet në takimin e atëhershëm me Milaim Bellanicën dhe gazetarin, teksa shqyrtojnë pamjet e masakrës.
Ka një debat lidhur me pamjet e masakrës të transmetuara nga BBC, ku në kronikën e asaj kohe shfaqen vetëm disa sekuenca, por kaseta besohet, dhe siç është pohuar nga vetë Bellanica, është më e gjatë.
Kujtojmë se Bellanica, në një intervistë për “Insajderin” në Kosovë, ka përmendur edhe emrin e Dashamir Pezës, të cilin ka thënë se ka dashur ta padis por është ndaluar nga prokurori Arben Rakipi.
“Çka më vjen mas randi prej ish prokurorit të Shqipërisë, kam shku me e padit Dashamir Pezën, prokurori Arben Rakipi nuk më ka pranu në asnjë gjykatë në Tiranë me e ba padinë për Dashamirë Pezën që nuk më largun prej Shqipërisë, ata lekë që kanë qenë për mu i ka marrë tjetërkush”, ka thënë Bellanica.