‘Mos u zhgarravitni në foltore’, revoltohet Ralf Gjoni: Dua përballje ‘kokë më kokë’ me Ramën

Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni u ka bërë thirrje kolegëve që të mos drejtohen në foltoren e Kuvendit, por të flasin nga vendi për shkak të pandemisë.
Ai ka kërkuar që interpelanca e miratuar me kryeministrin Edi Rama të mos i përzihet me asnjë debat apo interpelancë tjetër.
“Rastet po shtohen. Mirë është që të flasim nga vendi dhe të mos zhgarravitemi atje në foltore. kam kërkuar një interpelancë kokë më kokë për menaxhimin e situatës. Do t’ju lutesha që të mos e përzini me deputetë të tjerë,” tha Gjoni ndër të tjera.
Gjoni bëri thirrje që palët politike të bëhen bashkë dhe të miratojnë një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Nuk ka mundësi që për shkak se kemi komplekse nga disa burracakë në BE që ne të përdhosim luftën e Kosovës, që ka qenë luftë e shenjtë për të mbrojtur viktimat e Milloveshiçit, ndaj gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë.
Ka ardhur koha që Tirana dhe Prishtina të flasin njëzëri, ka ardhur koha të mos ketë më kufi midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Ndaj z. Kryetar, këtë temë e ngrita pa qëllim. Ka një rezolutë shumë të vonuar të Parlamentit tëq Kosovës në vitin 2019 për dënimin e gjenocidit në Kosovë. Ka një kërkesë nga LVV për një rezolutë të ngjashme.
Të ulemi të gjithë së bashku që të kalojmë një rezolutë të ngjashme për të dënuar gjenocidin që është bërë ndaj shqiptarëve. Ajo gjykatë speciale në Hagë është antishqiptare dhe nuk i shërben aspak interesave tona. Ne t’i bashkojmë forcat, t’i lëmë ndasitë dhe të bëhemi bashkë për kombin“, tha Ralf Gjoni.