Balla: Komisioni hetimor në Kuvend, jo për Bashën, por faktmbledhës për masakrat serbe në Kosovë

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar sot se komisioni që do të ngrejë Parlamenti shqiptar nuk bëhet për Lulzim Bashën, por për të mbledhur faktet për masakrat serbe në Kosovë dhe të bëjë një betejë ligjore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
”Masakra e Krushës s’ka marrë përgjigje nga drejtësia dhe fajtorët ende nuk janë dënuar.
E dyta ka të bëjë me nevojën që unë e kam thënë disa herë për të institucionalizuar kur të kemi një objekt, një komision të posaçëm që të kryejë rolin e një komisioni faktmbledhës”, tha Balla.
Në lidhje me pyetjen që u bë se përse PS u kujtua sot, Balla u përgjigj se kjo bëhet në kuadrin e hetimeve që ka nisur në Hagë ndaj UÇK-së.
“Lulzim Basha ka një çështje të karakterit moral në këtë situatë. Në asnjë moment nuk është objekt i punës sonë. Me heshtjen e tij historike për çdo akuzë konfirmon të vërtetën. Ndërkohë që shqetësimi ynë është dhe lidhet me nevojën që Shqipëria si një vend sovran, me ligje e institucione, çështje që a ka shqiptarë e shqiptare që besojnë historirat e ndodhive të krimeve qoftë në Has e Kukës. Shpresoj që çështja e Shtëpisë së Verdhë është e sqaruar. Por mendoj se të gjitha duhen mbledhur.
Ajo që po ju thosha e sqaroja, është që kjo çështje për fat të mirë nuk është më tashmë. Edhe Kukësi e Hasi kanë po të njëjtën hetim nga institucionet edhe të drejtësisë shqiptare. Shqipëria duhet të sqarojë dhe të bëjë mbledhjen e të gjitha fakteve për të nisur më pas pse jo dhe një betejë në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të çbërë ose sqaruar”, tha Balla.