Po u rrezikohet jeta pacientëve me COVID/ Prokuroria nis hetimet për bombolat e oksigjenit që shiten online

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të kontrolluar pikat e tregtimit të bombolave të oksigjenit online.

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 15 tetor në Tiranë, ku një 72-vjeçari të infektuar me COVID i ka shpërthyer bombola e oksigjenit në shtëpi, Prokuroria Tiranës ka vendosur nisjen kryesisht të hetimeve për të kontrolluar pikat e tregtimit dhe faqet online.

Hetimet janë përqendruar jo vetëm për cilësinë e sigurinë e bombolave, por edhe për fshehje të të ardhurave pasi janë biznese të pa licencuara.

Pjesa më e madhe e faqeve online që shesin bombolat dyshohet se i kryejnë shitjet në mënyrë të jashtëligjshme dhe se bombolat e oksigjenit janë çdo lloj standardi për kurimin e të sëmurëve .

Mësohet se 500 deri në 800 euro varion çmimi i një bombole me oksigjen, ndërsa me qira vlera shkon 100-120 euro.

Indicien e parë për nisjen e hetimeve të aparaturave të oksigjenit që shiten online, institucioni i akuzës e mori tri javë më parë, pas kallëzimit të dy vëllezërve, të cilët për babanë e tyre të infektuar me virusin e rrezikshëm fillimisht përdorën aparatura oksigjeni që kishin blerë në Facebook. Ata në kallëzimin e tyre, shprehen se babanë e çuan në spital, 4 ditë para se ai të ndërronte jetë.

Ndërsa, ngjarja e rëndë me 72-vjeçarin nga Tirana ndodhi mbrëmjen e së dielës në lagjen “Bajram Curri”. I moshuari është dërguar me urgjencë në spital, por ende nuk dihet sa e rëndë është gjendja e tij shëndetësore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT