Ilaç që shëroi Trumpin nga Covid-19, shitet në Kosovë për qindra euro, mobilizohet shteti

Paracetamol, antibiotikë, fraksiparinë, vitamina të ndryshme, albumina, e remdesivir, këto janë disa nga medikamentet që kosovarët e prekur me koronavirus e që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, po i përdorin gjatë mjekimit të tyre.

E kostoja e tyre shkon në qindra euro. Vetëm njëri nga këto ilaçe, ‘Remdesiviri’, po blihet deri në 300 euro nga pacientët e prekur me Covid 19.  Këtë ilaç shteti ende nuk ka arritur që t’ua sigurojë qytetarëve në nevojë.

Në Klinikën Infektive të QKUK’së, prej tash e disa javë është duke u trajtuar një 59 vjeçare nga Mitrovica. Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë. Ajo është nën përkujdesjen e mjekëve dhe me terapi të shumta mjekësore.  Disa nga to jepen falas e disa të tjera pacientët po detyrohen që t’i blejnë vet në disa prej farmacive të kryeqytetit.

Djali i kësaj 59-vjeçareje ka rrëfyer se ka blerë tre ampula të ‘Remdisivirit’ në vlerën e 200 eurove për një ampulë, në mënyrë që nëna e tij të shërohet më shpejtë nga Covid 19.

“Ka tri javë që nënën e kemi këtu (Klinika Infektive). Në bisedë me familjarët e pacientëve po flitet për këtë Remdisevirin. I pyeta mjekët thanë që i suksesshëm është. Unë i gjeta i bleva. Tre ampula më kushtuan gati 600 euro”, rrëfen ai.

Shteti: I kemi hapur procedurat e tenderimit, po presim oferta

Që nga fillimi i shtatorit, Remdesivir po shitet në Kosovë me çmime të ndryshme, varësisht nga shteti që po importohet.

Autoritetet shëndetësore kosovare duket se tashmë e kanë në plan që ta blejnë këtë ilaç të cilin e ka përdorur edhe ish-presidenti i SHBA’ve, Donald Trump.

Nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë kanë njoftuar se tashmë kanë hapur procedurat e tenderimit për blerjen e “Remdesivirit”.

Por infektologu Salih Ahmeti tregon efektet e mundshme të këtij ilaçi.

“Ky medikament në rradhë të parë kur jepet në kohën e duhur e zbutë stuhinë e citokineve. E qetëson ashpërsinë e manifestimeve klinike. E zvogëlon kohën e negativizimit të virusit në aspektin biologjik dhe jep përmirësime të mira klinikë”, thotë Ahmeti./ Express

Back to top button
LAJMET E FUNDIT