VIDEO: Plas grushti në Kuvendin e Kosovës, deputetët sherr për të zhdukurit gjatë luftës me Serbinë

Me tensione dhe grushte u shoqërua seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për të pagjeturit. Derisa në foltore po fliste deputetja e LVV-së Saranda Bogujevci në sallën e Kuvendit janë përplasur deputetët e LDK-së dhe të LVV-së.
Ka qenë deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili fillimisht ka pasur konflikt verbal me deputeten Mimoza Kusari.
Në përkrahje të Kusarit ka dalë deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, i cili është përleshur fizikisht me deputetin Gashi, ku është përfshirë dhe deputeti Hajrulla Çeku.
Saranda Bogujevci e ka pasur të pamundur të flasë në foltore për shkak të Gashit e Kusarit, që po grindeshin duke u çuar madje edhe në këmbë e duke iu drejtuar njëri-tjetrit. Deputetë të Vetëvendosjes më pas kanë tentuar të ndalin deputetin Gashi, ku shihet edhe përleshje fizike mes tyre.
Në këtë moment janë ndërprerë edhe pamjet e përleshjes nga seanca, e cila më parë u ndërpre nga nënkryetarja Nagavci, e cila e shtyu atë për në orën 15:30 për shkak të tensionimit të situatës në Kuvend, raporton Zëri.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka folur për përleshjen që ka ndodhur sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës. Gashi tha se partitë politike po përfitojnë nga rasti për të fituar vota, duke shpifur ndaj kolegëve dhe Qeverisë.
Ndërsa, kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci, i ka kërkuar që të flasë rreth rendit të ditës, Gashi ka kundërshtuar. “E përmbylli kur të kryhen 10 minuta”, i ka thënë ai Nagavcit.
Gashi deklaroi se ka kërkuar nga deputetët e LDK-së që të mos flasin për historitë e tyre personale dhe familjare në Kuvend, pasi këto janë tema të rënda dhe të ndjeshme.
“Kam tentuar në këtë sallë që këto çështje të mos bëhen diskutim në Kuvend, kam kërkuar nga Fetah Rudi, të mos flasë për plagosjen e tij, kam kërkuar nga Shkëmb Manaj të mos flasë për babën e vrarë dhe të djegur, nga Doruntinë Malokun për babain e saj që iu vra në prezencë në moshën 16 vjeçare, nga Armend Zemajn për tre familjarë të tij, nga Marigona Geci, sepse është temë e rëndë dhe e ndjeshme. Këto raste nuk janë zbardhë, njerëzit janë djegë, kjo është turpshme, mos i personalizoni gjanat. Janë tema të rënda, me dalë dikush me thënë se po rrenë dhe po shpif është e pavërtetë, të pavërtetat këtu s’kanë me u leju. Nëse doni me nivel personal, në nivel personal ka me shkua”, ka deklaruar Gashi./Gazeta Shqip