Zbardhet dokumenti i Prokurorisë Speciale: Njerëzit e Rexhep Selimit tentuan të vrisnin një person, politikani ndërhyri në polici për të zhdukur provat

Prokurori i Specializuar Jack Smith, e ka përshkruar në raportin e tij Rexhep Selimin si “bossi” i një bande që tentoi të vriste një person.
Selimi është Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosja dhe ish-inspektori i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në dokumentin që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ia ka dërguar gjykatësit të Speciales, Nicolas Guillou, pretendohet se një orë pasi kishte ndodhur tentativa për vrasje, Selimi kishte kontaktuar një oficer policie, të cilit i ka kërkuar të merrte një objekt që ishte përdorur në atentat.
“Për më tepër, individët të cilët kanë punuar për Rexhep SELIMIN ishin të përfshirë në një përpjekje [REDAKTUAR] për të vrarë [REDAKTUAR]. Brenda një ore pas tentim-vrasjes, SELIMI u përpoq ta thërriste njërin nga të dyshuarit, 30 dhe SELIMI më pas kontaktoi një oficer të Policisë së Kosovës duke kërkuar ai për të rimarrë [REDAKTUAR] që dyshohet se është përdorur në atentat. Një hetues [REDAKTUAR] vuri në dukje se ‘[[]] është […] shqetësim i madh që Rexhep Selimi mund ta thërriste një oficer të Policisë në çdo kohë dhe t’i kërkonte që ta shfrytëzonte pozicionin e tij për t’i marrë provat të përdorura në veprat e mundshme penale’”,- shkruhet në dokumentin e Prokurorisë Speciale.
Më tej në këtë dokument shkruhet se Rexhep Selimi dhe personat e tjerë të akuzuar janë renditur në listën e zezë të SHBA-së.
“Rexhep SELIMI u rendit në listën e zezë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për përfshirje të mundshme në pengimin e zbatimit të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit OKB-së për krijimin e UNMIK-ut dhe është subjekt i sanksioneve të vendosura nga Thesari i Shteteve të Bashkuara”,- shkruhet në dokument.
Gjithashtu në raportin me 22 faqe të Prokurorisë Speciale pretendohet se janë përndjekur dhe vrarë dëshmitarët, pasi sipas tyre ish-anëtarë të UÇK-së e ish-anëtarë të organizatave ndërkombëtare në Kosovës ishin kërcënuar që të mos dëshmonin në Gjykatë.