Gurë ndaj qendrës shëndetësore/ Manastirliu: U nxit nga gjuha e urrejtjes! PD: Po largoni vëmendjen nga vdekjet

Ngjarja e rëndë e ndodhur në lagjen “Skëndërbej” në Elbasan, ku ndaj Qendrës Shëndetësore është qëlluar me gurë duke i thyer xhamat e dritareve, ka përplasur qeverinë me opozitën. Fillimisht maxhoranca reagoi përmes Taulant Ballës, i cili u shpreh se akti vandal u frymëzua nga retorika e Bashës.

Më pas reagoi edhe Ogerta Manastirliu, e cila thotë se agresion ndaj institucioneve është nxitur nga gjuha e urrejtjes kundër bluzave të bardha.

Më tej Manastirliu ka dënuar këtë akt vandal dhune duke thënë se bluzat e bardha meritojnë mirënjohje.

“Gjuha e urrejtjes përdoret kundër bluzave të bardha. Agresion ndaj institucioneve e nxitur nga gjuha e urrejtjes. Dënoj me forcë këtë akt të dhunshëm. Mbështes me forcë punën e çdo mjeku e infermieri në Shqipëri. Bluzat e bardha meritojnë mirënjohje e jo dhunë verbale.” ka thënë ndër të tjera Manastirliu.

Reagimi i PD: Po largoni vëmendjen

Në një reagim në rrjetet sociale, Gazmend Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD, thotë se akuzat e Ballës janë një tjetër histori e rreme, për të larguar vëmendjen nga fshehja e numrit të vdekjeve nga COVID19. Bardhi kërkon një hetim nga prokuroria për menaxhimin e COVID.

“Edhe një herë Rama vazhdon të luajë politikisht me jetën e shqiptarëve. Ai dërgoi Taulant Ballen për të krijuar një histori të re të rreme për të sulmuar Lulzim Bashën, sepse ende nuk ka një pergjigje për fshehjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia. Edi Rama vetëm po përpiqet të largojë vemendjen e qytetarëve nga vonesa e pajustifikuar në zbardhjen e së vërtetës. Ne përsërisim thirrjen ndaj prokurorisë të nisë hetimet për fshehjen dhe manipulimin e të dhënave për numrin e të vdekurve nga covid19. Kjo nuk është një çështje politike, por është një çështje thelbesore për të gjithë shqiptarët. Populli shqiptar e ka aftësinë të mos bjerë pre e manipulimeve të Edi Ramës.”

Kjo qendër kishte vetëm 2 muaj që ishte rikonstruktuar dhe i ofron shërbim 7 mijë banorëve, ndërsa policia ka vënë në pranga autorit që ika dhunuar goditën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT