“Unë e njoh personin që kishte provat për rekrutimin e Berishës nga UDB. Ja emri i tij dhe pse ai nuk foli kurrë. Vetëm naivët besojnë se ajo që na ka ndodhur pas ’90-s është rastësi”

Nga Idajet Beqiri

Botuar në DITA

Shqipëria, Kosova dhe gjithë hapësirat shqiptare kanë patur mbi shpinë, për disa shekuj me radhë, një pushtues, një kolonizator, një gjenocidist dhe një shfarosës përbindësh të kombit, popullit dhe të trojeve shqiptare, siç ka qenë dhe mbetet Serbia.

Historia e Serbisë njihet kudo në botë. Ku është ngulur sot Serbia, në territoret ku ndodhet ajo, kanë qënë troje shqiptare dhe të populluara me shqiptar. Me krime makabër, me luftra gjakatare, me djegie, me gjenocid masiv, me veprime antinjerëzore, Serbia dhe serbët kanë bërë spastrim etnik në trojet shqiptare dhe fillimisht u ngulën deri në Nish, e më pas erdhën deri në… Kukës.

Serbia dhe serbët, të bindur për historinë e saj të palavdishme të origjinës së vet nga janë dhe pse erdhën në trojet shqiptare, për trupin e saj katastrofale të  mbushur me gjenocidizëm dhe krime makabër kundër shqiptarëve dhe territorëve të tyre, për të “zbutur” këto gjëma makabre, për të justifikuar  krimet e tyre, për të lënë fajin e tyre, si agresor dhe  gjenocidist, në “derë” të viktimave, sikurse janë shqiptarët, qysh nga shekulli i 6-të dhe deri më sot, kanë patur “çetat” e tyre me tradhtarë dhe të shitur shqiptar si në Kosovë, në Shqipëri, në Malin e Zi, në Maqedoni dhe në Diasporë.

“Çeta” më e rrezikshme me shqiptarë, të cilët janë paguar dhe i shërbejnë me devotshmëri Serbisë, të cilët i kanë shkaktuar dëme fatale kombit shqiptar, popullit të tij, reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë, shfarosjes dhe shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga trojet e veta, ka qenë dhe ka mbetur “Çeta” me shqiptarë e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo “Çetë”, për shkak të natyrës së regjimit komunist, si regjim hermetikisht i mbyllur, për shkak të mos ekzistencës  së fjalës dhe mendimit të lirë, të cilat konsideroheshin “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”, bënë dëme të pallogaritshme në të gjitha hapësirat shqiptare, por edhe nuk u zbuluan dhe nuk morën dënimin që meritonin për tradhëti të rëndë kombëtare, krim i cili ndëshkohet edhe sot, si dje dhe kurdoherë, në çdo shtet ligjor dhe demokratik të botës, si krimi më i rëndë penal dhe moral.

Nëse shqiptarët mësuan me prova, me fakte, me dokumente se në vitet e komunizmit, njëri ndër agjentët më potent të Serbisë, ishte Sali Berisha, kjo jo se nuk dihej qysh nga koha e viteve të komunizmit në Shqipëri, prej shqiptarëve,  por atëhere askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën.

Shqiptarët e viteve të komunizmit, krahas të tjerave, dinin, sepse e shihnin me sytë e  tyre që Milica, vjerra e Sali Berishës, punonte në Ambasadën e ish Jugosllavisë (Serbisë), në  Tiranë. Shqiptarët e dinin që Liri Berisha, gruaja me të cilën e lidhën në martesë Saliun, quhej “Sllobodankë”.

Por shqiptarët shihnin edhe që Sali Berisha u bë edhe mjeku i jashtëm i Hysni Kapos në Bllok! Në këto kushte, edhe ish Zëvendës Kryetari i Degës së Brendshme të Tropojës,  Preng Zefi, dëshmitar i gjallë i faktit të ditës së rekrutimit të Sali Berishës prej UDB, njohësi i  kolonelit të UDB-së që rekrutoi Sali Berishën, në atë kohë fliste nën zë me miqtë e tij të besuar, por kurr nuk guxoi të denonconte, sepse i ikte koka nga ata që e mbështesnin Sali Berishën në udhëheqjen komuniste të kohës.

Vallë janë kaq naiv shqiptarët andej dhe këndej kufirit sa të mos kuptojnë, analizojnë, vlerësojnë dhe konkludojnë se Sali Berisha nuk ishte as rastësi, as befasi, që mori drejtimin e PD në vitet 1990 dhe që mori drejtimin e Shqipërisë post komuniste?!

“Çeta” e pas luftës antifashiste në Shqipëri e kishte piketuar prej kohësh Sali Berishën për t’a sjellë në krye të shtetit shqiptar, si njeriun që do t’i bënte gjëmën në të gjitha fushat Shqipërisë.

Berisha, sapo mori frenat e pushtetit në vitin 1992, i vuri zjarrin dhe e shkrumboi vet shtetin dhe institucionet e tij, ekonomisë së vendit dhe pronavetë shqiptarëve, ushtrisë dhe arsimit, drejtësisë dhe shëndetësisë, ekologjisë dhe moralit të shqiptarëve, nxiti dhe ngjiti në majat më të larta kriminalitetin, hakmarrjen dhe konfliktet e rënda sociale shqiptari kundër shqiptarit, duke i sjellë Shqipërisë disa ngjarje makabër pro sërbe.

Veçojmë këtu vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, zgjedhjet lokale në Libofshë, Greshicë etj në vitin 1992, burgosjet politike të disa gazetarëve, kryetarëve të partive politike në vitete 1993-1996, masakrën zgjedhore të majit 1995, ngjarjet e marsit 1997, vrasjen e ish deputetit Azem Hajdari në 12 shtator 1998, grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998, Masakrën e Gërdecit në 15 mars 2008, masakrën e 21 Janarit 2011 me 4 të vrarë për motive politike dhe të mbajtjes së pushtetit me dhunë etj.

***

Berisha ka patur dhe ka “Çetën” e vet në Shqipëri. Fillimisht ata ishin të shpërndarë, por me një të rënë të bilbilit ai i mblodhi kur ju deshën.

Së bashku me pjestarët e “çetës” së vet, ai burgosi në Shqipëri të gjithë udhëheqësit më të lartë atdhetarë të Kosovës, të cilët krijuan dhe udhëhoqën UÇK, formacionin që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Ai burgosi Adem Jasharin,  Zait Pajazitin, Mentor Kaçin, Ismet Kryeziun, masakroi dhe vrau Remzi Hoxhën…

Sali Berisha ishte i pari që, sapo doli në skenën ndërkombëtare UÇK, e konsideroi atë “Organizatë terroriste”; në të njëjtën kohë, duke qënë President i Republikës, doli hapur në mbrojtje të Sllobodan Millosheviçit dhe masakrave serbe në Bosnjë dhe në Kosovë, duke thyer embargon e karburantit dhe të armëve të OKB kundër Serbisë.

Kur Kosova fitoi lirinë, një pjesë e “çetës” serbe u punësua pranë Misionit të Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi dhe më pas, në  UNMIK, pikërisht në sektorët më nevralgjik, ku do të krijoheshin dosjet penale kundër UÇK dhe udhëheqësve të saj, si dhe ku do të zhdukeshin provat kryesore që vërtetonin gjenocidin dhe masakrat e shtetit të Serbisë kundër popullsisë  civile shqiptare në Kosovë.

Vallë është rastësi mbledhja dhe zgjedhja “me dorë” në ato poste e vajzës së tij Argita Berisha, e dhëndërrit të tij Jamarbër Malltezi, e Lulëzim Bashës, mikut për kokë të Argitës, e gruas së Lulëzim Bashës, e kunatit të Lulëzim Bashës?!

Jam dëshmitar okular, qysh nga viti 1991 e në vazhdim, që i kam dëgjuar me veshët e mi mjaft luftëtarë më në zë të UÇK dhe pjesën dërrmuse të udhëheqësve  kryesor të saj, të cilët me zërin e lartë stigmatizonin Berishën dhe gjithë të familjes së Sali Berishës, si njerëzit që me veprimet e tyre i bënë gjëmën UÇK dhe udhëheqësve të saj, me grumbullimin e provave të gënjeshtërta, që i dhanë aq shumë materiale Serbisë për të njollosur luftën çlirimtare për liri, që zhdukën aq shumë prova, sikurse ishte filmimi madhor i masakrës së Krushës.

Shikoni çfarë ndodhi me këtë “çetë” pasi e kryen këtë “mision” pro Serbisë dhe kundër UÇK! Të gjithë morën “shpëblimin” duke marrë poste të rëndësishme kryeministrore dhe ministrore në Shqipëri, duke udhëhequr qeverinë e Shqipërisë dje dhe opozitën e Shqipërisë sot!

Mercenarët e tyre në media flasin hapur, duke mos u skuqur dhe as zverdhur, akuzojnë dhe marrin në mbrojtje haptazi tradhëtinë; e quajnë për “nder” që janë antishqiptarë dhe që punojnë dhe veprojnë haptazi kundër interesave kombëtare shqiptare.

Përballë çetës, disa shtetarë, politikanë, intelektualë, nga “frika” prej hijes së vet se mos gjoja akuzohen si “konspiracionistë”, me mëndësi “komuniste” etj etj, nuk flasin dhe nuk e stigmatizojnë tradhëtinë dhe tradhëtarët  me emrin e vet, por e zbusin terminologjinë servilisht.

Ka ardhur koha që shqiptarët  atdhetar, pa asnjë ndrojtje, të mos i kursejnë fjalët me zë të lartë, duke i quajtur me emrin e vërtetë dhe të merituar: Tradhëtarë, zjarrvënës të Shqipërisë! Duke mos ua kursyer madje as edhe pështymën, kudo që i hasin.

——

©Copyright Gazeta DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT