Rama mesazh për vdekjen e Bashkim Koplikut: Më shkruante shpesh dhe më kritikonte, por ma përkëdhelte sedrën

Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar një mesazh-Homazh të veçantë, Bashkim Koplikut, i cili u nda nga jeta pasi nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin. Kryeministri thekson se nuk e ka takuar kurrë Koplikun, por ishin bërë miq përmes whatsapit, ku ish-zv.kryeministri i PD, e kritikonte apo sugjeronte shpesh.

“BASHKIM KOPLIKU u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes whatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opionionit e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike.“, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shkruan se, Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist.

“Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë.

Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës.

Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar.

U prehsh më në fund në paqe miku im”, përmbyll Rama./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT