Video/ PD denoncon: Ministrja Xhaçka përdor helikopterët e ushtrisë si taksi për takimet e PS-së

Partia Demokratike, me anë të ish-deputetit Xhemal Gjkunkshi ka akuzuar ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka që përdor helikopterët e ushtrisë për të zhvilluar takime elektorale në Dibër.
“Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u zhvat shqiptarëve 10 mijë euro çdo javë, që të vijë me helikopter në Peshkopi për fushatë elektorale. Në vend që paratë të shpenzohen për të ndihmuar njerëzit në këtë kohë të vështirë, Olta Xhaçka përdor helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për fushatën e PS në Dibër. 10 mijë euro çdo javë, prej gati një viti do të thotë që vetëm Olta Xhaçka, për interesa privatë partiakë, ka shpenzuar gati gjysmë milioni euro nga paratë e qytetarëve”, shkruan Gjunkshi në Facebook.
Më tej ai shton se “është një shpërdorim skandaloz, që revolton çdo qytetar, i cili harxhon 100 mijë lekë për tamponin në privat, që blen vetë bombolën e oksigjenit, që rri me frikë në zemër, se nuk ka ku të përplaset. Shpenzimet marramendëse të Olta Xhaçkës, që për punë partie përdor helikopterin si taksi private, revoltojnë çdo biznes që vuan mungesën e mbështetjes nga kjo qeveri. Na kushton më lirë t’i largojmë këta njerëz të pashpirt dhe të pafytyrë, që tallen dhe vjedhin qytetarët”.