Topalli regjistron me vrap “Lëvizjen për Ndryshim” në gjykatën e Tiranës

Jozefina Topalli ka nxituar ta bëjë menjëherë partinë e shpallur edhe si subjekt politik de jure. Sot ajo e ka regjistruar “Lëvizjen për Ndryshim” edhe në Gjykatë.
Vendimi u shpall ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës. Ky vendim u nënshkrua nga sekretarja e gjykatës Lusjana Fezollari dhe gjyqtari Ervin Pollozhani.
Partia, e cila do të ketë si akronim gërmat LN, thuhet se u themelua nga Topalli, Adela Kryeziu, Evald Serreqi dhe Najada Selmani dhe një numër anëtarësie prej 5,199 personash.
Ngjyrat e partisë do të jenë e bardha, bluja dhe portokallia.
Ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli themeloi partinë e saj dy javë më parë dhe po vijon një aktivitet të dendur për ta promovojë atë. Topalli ka bërë të ditur se do të garojë në disa qarqe të vendit në zgjedhjet e 25 prillit.
Pak kohë më parë, edhe dy deputetë të PD-së kanë krijuar partitë e tyre, Myslym Murrizi krijoi Lëvizjen Demokratike Shqiptare ndërsa Rudina Hajdari krijoi partinë “Nisma”. Një vit më parë, ish-numri dy i PD-së, Astrit Patozi, krijoi partinë “Bindja Demokratike”./GazetaShqip