Provokojnë grekët: Durmishaj zgjodhi ekipin e zemrës, ai nuk është shqiptar

Grekët po punojnë nën rrogoz për t’ia marrë Shqipërisë lojtarët e talentuar që luajnë në kampionatin helen. Dhe rasti më i freskët është ai i Fiorin Durmishajt, për të cilin kishin disa muaj që këmbëngulnin që ai të vinte në kombëtaren greke dhe më në fund e joshën dhe e bindën që ai të pranonte pikërisht kombëtaren e Greqisë. Më parë lojtari ka luajtur për ekipet e moshave të Shqipërisë, madje si një prej lojtarëve më të mirë, por neglizhenca e Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe e trajnerit Kristian Panuçi, bënë që ai të “ftohet” me Shqipërinë dhe pak nga pak të pranojë në heshtje ofertën e federatës greke dhe konkretisht të trajnerit Angelos Anastasiadis.

Është pothuajse një kalim i sigurt, megjithëse vetë lojtari nuk ka folur vetë me gojën e tij për këtë çështje dhe zyrtarizimi nuk është bërë ende. Por që të ndodhë zyrtarizimi duhet që të japë lejen FSHF e cila ka dokumentet e futbollistit, por njëherësh edhe të hapet drita jeshile nga FIFA, që është institucioni direkt që e mundëson këtë lëvizje. Por si ndodhi që Durmishaj kaloi tek kombëtarja greke? Zbuluesi i talentit shqiptar, Janis Pavlopulos, ka folur për këtë çështje dhe ka provokuar rëndë, ku ka deklaruar se Durmishaj nuk duhet lidhur me Shqipërinë, ai ka shpirt dhe zemër greke.

Qëndrimi i mediave greke dhe zbuluesit të Durmishajt

Sipas mediave sportive në vendin fqinj jugor, Fiorin Durmishaj tashmë e ka bërë zgjedhjen e tij. Sulmuesi vlonjat ka vendosur të përfaqësojë Greqinë në rang kombëtaresh duke surprizuar jo pak me zgjedhjen e tij e cila ka shtangur trajnerin e kombëtares kuqezi, Kristian Panuçi por edhe Federatën Shqiptare të Futbollit që tashmë duhet të përgatisë dokumentet e nevojshme që Durmishaj të lirohet totalisht nga kuqezinjtë pasi më parë ka luajtur me Shpresat, për të mbajtur veshur fanellën e Greqisë në eliminatoret e Euro 2020. Në një intervistë për “Fosonline”, zbuluesi i 22-vjeçarit, Janis Pavlopulos ka hedhur dritë mbi gjithçka duke treguar se Durmishaj ka zemrën dhe mendjen e një greku. “Durmishaj është i apasionuar pas futbollit dhe jep 110% nga vetja e tij. E përjeton gjithmonë me emocione të mëdha ndeshjen.

Unë jam krenar për të, sepse ka pasur një karrierë të vështirë. Jemi duke folur për një familje të varfër, me shumë probleme. Duhet ta dini që ky djalë ka kaluar shumë probleme në Greqi, si dhe ka vuajtur racizmin. Kjo është arsyeja se pse ai ka arritur kaq shumë, se ka një shtysë. Pjesa e të luftuarit, e ka bërë atë edhe më të veçantë. Gëzohem kur dëgjoj se ai do të veshë fanellën e Greqisë. Është më i miri në moshën e tij. Sigurisht që ai është grek, pasi u rrit këtu. Po, e do vendin e prindërve të tij, por gjithashtu do edhe Greqinë. Unë e di që ai ka mendjen dhe zemrën e grekut dhe prandaj do të veshë këtë fanellë e jo të Shqipërisë”, u shpreh Pavlopulos. Më tej ai analizon tiparet e futbollistit tek djaloshi shqiptar, duke nisur që në momentin kur e pa për herë të parë. “Ne kishim informacionet tona nga Rodi për një talent të madh atje. Kontaktuam me familjen e tij – kishin shumë probleme financiare që nuk dua t’i përmend – dhe e sollëm në Athinë te ekipi i U-17 i Panionios. Duhet ta dini që ky djalë ka kaluar shumë probleme në Greqi, nuk dua t’i shtoj po nuk kanë lidhje me varfërinë, por me racizmin. Kjo është arsyeja se pse ai ka arritur kaq shumë, se ka një shtysë. Ai ka një vendosmëri të jashtëzakonshme dhe dëshirë për t’ia dalë, një karakter prej çeliku dhe kjo është arsyeja pse bashkë me aftësitë futbollistike që ka, do të ketë një karrierë të madhe”, shtoi më tej Pavlopulos. Në fund, ai komentoi edhe cilësitë si goleador. “Nuk do të flas për golat, apo për anatominë, forcën që ka. Do të them vetëm një gjë: ky djalosh jeton për futbollin! Ai punon si qen të përmirësohet çdo ditë, është një njeri i cili ka vuajtur në jetën e tij. Ai ka kaluar vështirësi të mëdha, nuk dorëzohet kurrë. Kjo luftë e bëri atë shumë special dhe jam i lumtur të dëgjoj se trajneri i Greqisë e dëshiron në ekip. Ai është sulmuesi më i mirë për moshën e tij”, përfundoi Pavlopulos.

Adriatik BALLA/ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT