18 deputetë të maxhorancës kërkesë në Kuvend: Të ngrihet Komisioni për raportin e Dick Martyt kundër UCK-së

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për hetimin dhe pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë.
Kërkesa për ngritjen e Komisionit të Posaçëm hetimor është firmosur nga 18 deputetë të maxhorancës.
Sipas kërkesës së depozituar në Kuvend, ky Komision do të hetojë edhe rolin e politikanëve shqiptarë në raportin e Dick Marty.
Ata thonë se ky komision duhet të hetojë rolin e përfaqësuesve politikë shqiptarë në ndihmë të ashtuquajturës veprimtarisë kriminale të drejtuesve të UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Kërkojmë ngritjen e një Komisioni të Kuvendit të Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që janë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të APKiE Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione politike shqiptare nëpërmjet veprimeve dhe mosvperimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Komisioni i Posaçëm i Kuvendit duhet t’i vihen në dispozicion dokumentacioni i plotë dhe informues për të gjitha këto çështje dhe t’i prezantojë para Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati kohor prej 3 muajsh”, thuhet në kërkesë.
Në fokus të akuzave të maxhorancës për përfshirje në këtë çështje ka qenë kryedemokrati Lulzim Basha i cili ka hedhur poshtë këto pretendime.Ndërkohë, prej javësh, maxhoranca ka hedhur akuza në drejtim të kreut të PD-së, Lulzim Bashës, në lidhje me rolin tij në hetimet ndaj UÇK-s, ndërsa Basha ka mohuar të ketë marrë pjesë në ndonjë hetim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj kupolës së UÇK-së, thuhet se midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 janë kryer krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipëri nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftim.