Ligji Antishpifje votohet brenda dhjetorit, Ruçi fut në Kalendar komisionin hetimor për akuzat ndaj UÇK-së

Është përkthyer në vendim qëndrimi i PS-së për të ngritur komisionin hetimor për çështjen e akuzave ndaj UÇK-së, duke u futur në rendin e ditës.
Konferenca e Kryetarëve ka pranuar dhe ka futur në rend dite në Kuvend, kërkesën për ngritjen e Komisionit parlamentar për raportin e Dick Martyt. Kërkesa për ngritjen e Komisionit u firmos nga ana e 18 deputetëve të parlamentit shqiptar. Ky komision do ngrihet për të kundërshtuar dosjen e ngritur nga Dick Martyt kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve miratoi programin e punës për periudhën 30 nëntor-25 dhjetor 2020 dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 nëntor- 18 dhjetor 2020.
Ruçi, njoftoi Konferencën se në përgjigje të kërkesës së tij të datës 18 nëntor 2020, Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, konfirmojnë se “Urdhëri nr. 633, datë 11.11.2020, “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, nuk cënon aktivitetin e Kuvendit për zhvillimin e seancave plenare.
Seancat plenare duhet të zhvillohen duke ruajtur rregullat e distancimit social dhe mundësisht të kenë kufizime në kohëzgjatje.” Në këto rrethana, kohëzgjatja e seancave do të shkurtohet në tre orë.
Konferenca vendosi zhvillimin e seancave plenare me datat 3, 10 dhe 17 dhjetor 2020. Mazhoranca gjithashtu ka futur në agjendë votimin brenda dhjetorit ligjin e ri për median që u “rrëzua” nga Komisioni i Venecias. Ndërkohë që në seancën e datës 10 dhjetor pritet të votohet ligji për Policinë e Shtetit që u kthye një ditë më parë nga presidenti Ilir Meta.
Partia Socialiste nuk ka depozituar ende një Kuvend ligjin e paralajmëruar për të kufizuar kompetencat e presidentit, kështu që shqyrtimi i kësaj çështje pritet të shtyhet për vitin 2021./GazetaShqip