Spoti i Ramës/ Basha: Bëri propagandë me tërmetin! Familjet në çadra po mendojnë të kthehen në banesat e dëmtuara

Kryetari i PD, Lulzim Basha e ka quajtur propagandë rrëfimin e publikuar nga kryeministri Edi Rama në përkujtim të viktimave të tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Basha tha në SyriTV se fatkeqësia u përdor nga Rama si mundësi për të bërë “PR”.
Kryedemokrati u shpreh se banorët që tashmë jetojnë në çadra po mendojnë të kthehen në banesat e tyre, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti, sepse çadrat i janë grisur dhe dimri po afron.
“ Fatkeqësia dhe rindërtimi nuk u morën asnjëherë seriozisht. U pa në fillim si mundësi për PR dhe deri në mëngjes me atë spot që publikoi Rama si propagandë.
Në këtë rast kemi të bëjmë me shumë familje që janë jashtë. Janë përpjekur ti kamuflojnë shifrat se edhe ato raste kur i kanë ndihmuar qytetarët nuk e kanë bërë me transparencë.
Kemi të dhëna të plota nga Mirdita. Vihet re se ka një problematikë ku banorët që u goditën nga tërmeti e dinë mirë. Çadra po ju griset dhe mendojë që të rikthehen prapë aty, në ato banesa të dëmtuara ku mungon një pjesë e tavanit, apo që muret janë të çara në mes.
Një vit më pas ata nuk duhet të ishin në të njëjtën çadër që iu dha në fillim. Në këtë rast Edi Rama ka zgjedhur të qeverisë nga Facebook dhe Instagram, t’i përdorë vuajtjet e tyre për të fotografuar dhe prodhuar spotet e ditës.
Sot nuk kemi asnjë shpresë për familjet që një vite më parë iu premtua banesa.”