Dita e Flamurit/ Rama e Meta, bashkë në Vlorë por në distancim social, kryebashkiaku i Vlorës apelon: Jo grumbullime

Ilir Meta dhe Edi Rama do të jenë nesër së bashku në Vlorë në një protokoll të përbashkët, por me distancim social për të kremtuar 108-vjetori i Pavarësisë, ku do të jetë prezent edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.

Kreu u bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka bërë thirrje që qytetarët të mos marrin pjesë në ceremoninë në sheshin e flamurit, e cila diktohet nga rregullat anti-Covid. Leli ka ndërmarrë një fushatë edhe në rrjetet sociale duke bërë thirrje që të shmangen grumbullimet.

“Më vjen keq që këtë vit, për ditët që identifikojnë Vlorën, nuk do të kemi festimin e përvitshëm. Sipas protokollit shtetëror, nesër, në 28 Nëntor, në ngritjen e flamurit, ora 10.00, do të jenë të pranishëm vetëm Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Prefekti dhe Kryetari i Bashkisë. Jeni të lutur që në emër të shëndetit të të gjithëve, të mos krijoni grumbullime njerëzish! Festat do t’i gëzojmë sërish, si më parë, sot duhet të mbrojmë veten dhe këdo që kemi pranë!”, shkruan kryebashkiaku Leli në rrjetet sociale.

Tashmë Ruçi, Rama dhe Meta do të jenë së bashku e kjo për Ditën e Flamurit, duke e detyruar “të ulin armët”. Mes Ramës dhe Metës ka pasur përplasje të forta sa i përket çështjes së kontrollit të pandemisë së Covid, apo dhe për çështjet e tjera të nxehta të politikës. /GazetaShqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT