Konferenca shtyhet në mars/ Bllokohet vendimmarrja: Italia kërkon nga Gjermania përmirësim të tekstit për Shqipërinë

Takimi i së hënës i Këshillit të Ambasadorëve të Bashkimit Evropian vendosi të bllokojë miratimin e përfundimeve për procesin e zgjerimit.

Sipas Euronews Albania ka qenë Italia, ajo që i ka kërkuar presidencës gjermane, që të përmirësojë tekstin, sidomos për Shqipërinë. “Ajo që pritet të ndodhë është se Gjermania duhet të vijë me një tekst të ri ditët në vijim, me sa kemi mësuar ky tekst nuk do të vonojë, pra do të përpiqen që ta prezantojnë këtë sa më shpejt”, deklaroi gazetari i Euronews Albania.

Ndërkohë Holanda dhe Franca shfaqën sërish qëndrimin e tyre sipas së cilit Shqipëria nuk është ende gati dhe në një farë forme, edhe nëse Maqedonia e Veriut zhbllokon çështjen që ka me Bullgarinë, sërish Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin integrues dhe nëse do të ketë konferencë ndërqeveritare të afërt, ajo të mbahet vetëm me Shkupin zyrtar.

Konferenca në mars

Konferenca e Parë Ndërqeveritare nuk do të zhvillohet brenda muajit dhjetor, por në mars.  Në dokumentin e siguruar nga Euroneës Abania thuhet se ajo do të mbahet sapo të jetë miratuar kuadri negociues dhe për Shqipërinë, pra pasi i të jenë plotësuar dy kushtet e mbetura, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Ligjit Anti-shpifje.

Propozimi i fundit i Presidencës gjermane nuk përmend me muajin dhjetor dhe shpresën për mbajtjen në këtë muaj të konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut. Por në dokumentin e siguruar nga Euroneës Abania thuhet se ajo do të mbahet sapo të jetë miratuar kuadri negociues, dhe për Shqipërinë, pasi të jenë plotësuar dy kushtet e mbetura, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Ligjit Anti-shpifje.

“Këshilli pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe – nëse plotësohen kushtet e vëna në përfundime e Këshillit të Marsit 2020 – me Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kuadrit negociues nga Këshilli”.

Presidenca gjermane nuk ka qenë aspak aktive këto gjashtë muaj për të shtyrë më tej dosjen e zgjerimit, dhe tashmë duket se është dorëzuar duke mos u përpjekur që konferencat e para të anëtarësimit të mbahen brenda kësaj presidence, por siç duket kjo gjë do t’i kalojë presidencës pasardhëse portugeze.

Ndërsa për Shqipërinë mbeten ende dy kushte për t’u plotësuar, të cilat priten të plotësohen në dhjetor, për Maqedoninë e Veriut është Bullgaria ajo që vijon të bllokojë me kërkesën për të përfshirë në kuadrin negociues zbatimin e Traktatit të Miqësisë mes dy vendeve.

Ndërkohë një tjetër zhvillim interesant nga këto përfundime të Këshillit është se për herë të parë është hequr fare Turqia, e cila deri më sot figuronte në të njëjtin grup të vendeve të zgjerimit, si vend kandidat. Një mesazh i qartë ky i BE-së për këtë vend, pas përplasjeve dhe provokimeve të fundit në Mesdhe me Greqinë dhe Qipron, dhe para ndërmarrjes së sanksiononeve nga ana e BE-së kundrejt Turqisë, në Samitin e ardhshëm të dhjetorit.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nëse kuadri negociues nuk miratohet në dhjetor, gjithçka shtyhet për këshillin e radhës të BE-së, i cili mbahet në mars nga presidenca portugeze. Euronews/Albania

Back to top button
LAJMET E FUNDIT