5 pacientë me Covid-19 janë hedhur nga spitalet, partia e Rudina Hajdarit thirrje Qeverisë: Kyçni ballkonët, ua keni borxh njerëzve që paguajnë taksa

Partia Nisma Thurje, parti në të cilën bën pjesë dhe deputetja Rudina Hajdari, i kërkon qeverisë që të sigurojë ballkonet e spitaleve kur kurohen pacientët e prekur nga Covid-19. Ky reagim vjen pasi sot një tjetër pacientëë u vetëhodh nga spitali “Shefqet Ndroqi” dhe ndërroi jetë.

Sipas Nismës, meqë qeveria nuk ka para për psikologë, për dhoma e pajisje cilësore, të paktën të sigurojë ballkonet e spitaleve, në mënyrë që pacientët të mos vetëflijohen më.

“Por ama mundësinë për të kyçur dyert e siguruar ballkonët kjo qeveri e ka. Të paktën kaq ua ka borxh njerëzve që paguajnë taksa me shpresën se ato do tu prodhojnë siguri. A e bëni dot kaq”, thuhet në reagimin e Nismës Thurje.

Reagimi i plotë:

5 pacientë të sëmurë me Covid 19 i kanë dhënë fund jetës deri më sot duke u hedhur nga ballkoni i spitaleve ku ishin shtruar me shpresën për tu shëruar.

Ngushëllime familjeve!

E kuptojmë që qeveria nuk ka para për të paguar psikologë, ato lekë i ka marrë Vilma për Check up-in që nuk i shërben kujt.

E kuptojmë që nuk ka lekë as për më shumë dhoma ku pacienti të ndihet më i qetë e të mos ndajë dhimbjen e tjetrit, ato lekë i ka marrë bojaxhiu nga italia me konçesionin e sterilizimit më të shtrenjtë në botë.

E kuptojmë edhe që qeveria nuk ka lekë për pajisje më cilësore, të cilat të mundësojnë kurim si në Turqi apo Itali, ato lekë i merr Klodian Zoto për incineratorët fantazma që nuk ekzistojnë.

Por ama mundësinë për të kyçur dyert e siguruar ballkonët kjo qeveri e ka.

Të paktën kaq ua ka borxh njerëzve që paguajnë taksa me shpresën se ato do tu prodhojnë siguri.

A e bëni dot kaq?!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT