‘Mamaja po ikën, kam merak për babain’, qytetari denoncon para Infektivit: Si nuk erdhi një mjek të na bënte tamponin, u nisa direkt nga Greqia

Një qytetar nga Berati ka denoncuar në media se asnjë anëtari të familjes së tij nuk i është marrë tampon, pavarësisht se mamaja e tij është e shtruar në Spitalin Infektiv.
Ai ka treguar për Fax News se mamaja e tij ka qenë në spital në Berat dhe mjekët e kanë dërguar në shtëpi pa i dhënë asnjë kurë. Kur gjendja iu përkeqësua tregon ai, e nisën me urgjencë drejt Infektivit. “Unë kam frikë që të takoj vëllanë, mamaja po më ikën, por të paktën të mos kem edhe merakun e plakut. Këtu nuk ka më shpresa, kanë për të mbetur 500 mijë banorë”, tha ndër të tjera qytetari.
“Unë jam nga Berati, jam këtu që të premten. Mamaja shkoi në spital, dhe e dërguan në shtëpi, nuk i dhanë asnjë kurë asnjë gjë. Kur shkoi në shtëpi i hipi temperatura, dhe i mungonte oksigjeni, e nisën me urgjencë nga Berati për këtu. Mua më bën përshtypje kjo, që në momentin që shtëpia ime është vatër zjarri, si nuk vjen një mjek që ti bëjë tamponin familjarëve të mij?
Ku e di unë, që nuk jam infektuar, nuk erdhi një njeri që të pyeste. Unë skam bërë tampon fare, kam ardhur direkt nga Greqia, as mamasë nuk i kanë bërë tampon, se gjendja ka qenë kritike, e panë gjendjen me skaner. Qysh nuk bëjnë tampone të njerëzve, e kemi izoluar vëllanë, babanë, nuk i takojmë as ne të tjerët.
Nuk mund të flas për shërbimin, pasi nuk jam brenda, edhe mamaja nuk flet dot se është e ngarkuar, edhe psikologjikisht. Tamponi në Greqi është falas, këtu ta kërkosh me zor dhe nuk të vjen njeri në shtëpi. Unë kam frikë që të takoj vëllanë, mamaja po më ikën, por të paktën të mos kem edhe merakun e plakut. Këtu nuk ka më shpresa, kanë për të mbetur 500 mijë banorë”, u shpreh ai.