“Dosja e UÇK-së” në Hagë, ja deputetët që do të hetojnë mbi Bashën

Parlamenti në seancën e nesërme do të votojë pro ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit Dick Marty.
Raporti i tij përmbante akuzat për krime lufte ndaj UÇK-së dhe mbi të ashtuquajturën Shtëpi e Verdhë. Pjesë e objektit të punës së këtij raporti janë edhe pretendimet e ngritura mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mos veprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Pikërisht ky komision i posaçëm do të “hetojë” edhe në lidhje me akuzat e lëshuara nga dëshmitari Melaim Bellanica në adresë të Lulzim Bashës, sot kryetar i PD-së, i cili në atë kohë ka qenë përkthyes dhe zyrtar i UNMIK dhe punonjës i gjykatës së Hagës në Kosovë.
Ai deklaruar publikisht se ka dorëzuar kasetën me 45 minuta mbi pamjet e viktimave të masakrës së Krushës së madhe. Kryedemokrati i ka mohuar këto akuza.
Ndërkohë që kanë dalë edhe emrat e anëtarëve të këtij komisioni. Ai do të përbëhet nga deputetët Ulsi Manja, Klotilda Bushka, Adnor Shameti, Alket Hyseni, Ermonela Felaj, Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi, Elena Xhina. Komisioni Parlamentar pritet të drejtohet nga Ulsi Manja. Afati i këtij komisoni do të jetë tre muaj dhe ka për të detyrë për nxjerrë një raport mbi këto hetime.