“1 vit burg kush bën meme”/ Reagon Rama: Shih shih, qenkan revoltuar ca analistë se…

Kryeministri Edi Rama ka mohuar se do të ketë dënime me burg për ata që bëjnë ‘meme’ në rrjetet sociale.

“Shih shih qenkan revoltuar ca analistë se do u dënokan memet me Kod Penal, duke u nisur nga s’di ç’material jozyrtar! Po si mund të ndalohen memet me ligj na e thonë dot këta orakuj të kombit? Asnjë shans s’ka, ku ta gjenim që dhe këta të merreshin me meme që të vlenin për diçka!”, shkruan kryeministri Rama.

Po cilat ishin ndryshimet në Kodin Penal, që nga media dhe qytetarët po cilësohen si “presion” ndaj fjalës së lirë. Sipas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë parashikohet kriminalizimi i shpifjes duke përfshirë edhe postimet në rrjetet sociale.

Ministria sugjeron që të dënohen me gjobë nga 50 000 deri në 1.5 milion lekë të atyre që shpërndajnë shpifje për të tjerët. Gjithsesi, kreu i qeverisë thotë se kjo nuk ka shans të realizohet.

NDRYSHIMET NË KODIN PENAL:

Neni 238

1. Publikimi në cdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se eshtë i tillë, përbën kundrvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit.

2. Ndjekja penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me tërheqjen prej saj

SHPIFJA NE RRJETET SOCIALE

Në nenin 227  parashikohet cilësimi i shpifjes si kundravajtje penale kur deklaratat e rreme apo ofenduese cenojnë nderin dhe reputacionin e personit. Sipas propozimeve të ministrise e Drejtësisë kjo do dënohet me  gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë./ Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT