Sekuestrimi i pasurive të ish-kryeprokurorit/ Yuri Kim: SPAK po jep rezultate! SHBA mbështet fuqimisht ‘drejtësinë’

Pak pasi u njoftua sekuestrimi i pasurive të Adriatik Llallës, ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim thotë se SPAK po jep rezultate.
Diplomatja shprehet përmes një postmi në rrjetet sociale, se SHBA vazhdon të mbështesë fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi.
“SPAK po jep rezultate, duke përdorur Ligjin Anti-Mafia për të nxjerrë fitimin nga korrupsioni. SH.B.A. vazhdon të mbështesë fuqimisht zbatimin e Reformës në Drejtësi, siç kërkohet nga populli shqiptar dhe në përputhje me statusin e Shqipërisë si Aleate e NATO-s dhe aspirante e BE-së”, shkruan Yuri Kim.
Me anë të një njoftimi në media, SPAK njoftoi sot se janë sekuestruar disa prona të Adriatik Llallë, tokë arë në Tiranë dhe Durrës.
“Hetimet pasurore janë në vazhdim dhe ende nuk kanë përfunduar. Masa e sekuestrimit të pasurive të paluajtshme në këtë rast është vendosur duke u bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 dhe kjo masë parandaluese është autonome nga proçesi penal që është duke u zhvilluar ndaj shtetasit të mësipërm“, thuhej në njoftimin e SPAK./Gazeta SHQIP