Diplomati amerikan mbyll të gjitha dilemat: Konfirmon se Kosova ka dëmtuar marrëdhëniet me SHBA’në
Philip Rekeer, kreu i ri i Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, ka pranuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë dëmtuar tani, transmeton Gazeta Metro.
Rekeer nga Shkupi ka dhënë qëndrimin zyrtar të SHBA’së se marrëdhëniet me Kosovën tanimë nuk janë si mëparë, ai ka zbuluar se taksa e vendosur ndaj Serbisë i ka dëmtuar seriozisht raportet.
Diplomati amerikan ka thënë se Qeveria e Kosovës tani nuk po i dëgjon kërkesat e Departamentit të Shtetit të Amerikës, kërkesa këto që janë pezullimi i taksës dhe fillimi i dialogut me Serbinë.
Të gjitha këto kërkesa sipas tij po bëhen që Kosova të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, marrëveshje kjo që nënkupton për shtetin serb njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Por, këto thirrje të diplomatit amerikan nuk po merren seriozisht nga Qeveria e Kosovës, këto po merren si deklarata të rëndomta nga i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ani pse tani raportet janë dëmtuar mes dy vendeve sipas analistit Ilir Mirena.
“Thirrja e Philip Reeker për suspendim të taksës duket se po trajtohet nga Qeveria e Kosovës si një deklaratë e rëndomtë e ndonjë diplomati që kalon këndej pari dhe thotë diçka për taksën dhe harrohet të nesërmen.
Thirrja e Reeker është konfirmim i rekomandimeve dhe analizave që po bëhen edhe brenda vendit, por që nuk po merren seriozisht nga Kryeministri Haradinaj për raportet tashmë të dëmtuara të shtetit të Kosovës me ShBA’në”, tha Mirena për Gazeta Metro.
Sipas Mirenës, kjo vendosmëri e Haradinajt e ka humbur seriozitetin edhe në terma të ekonomisë, pasi edhe pse është vendosur taksa ndaj produkteve serbe, ato nuk po mungojnë në tregun e Kosovës.
“Kjo edhe e ka humbur tërësisht seriozitetin, edhe në terma ekonomikë. Sepse, në tregun e Kosovës edhe pse që tre muaj taksë ndaj mallrave serbe, nuk vërehet aspak mungesa e tyre. Pra, në rrafshin ekonomik, edhe pse nuk ka ndonjë statistikë, nga ajo që shihet nëpër dollapët e marketeve tona – efekti i saj është zero”, ka thënë Mirena për Gazeta Metro.
Por, e gjithë kjo situatë e brendshme politike e krijuar në Kosovë po vjen pasi ka tensione të brendshme, barra kryesore për përkeqësimin e raporteve me SHBA’të po bie mbi kryeministrin e tanishëm Ramush Haradinaj.
“Por, situata të njëjtë nuk kemi në rrafshin politikë. Kemi tensionim të brendshëm të situatës politike, gjuhë të banalizuar mes prijësish që atakojnë njëri tjetrin nga feudet e tyre, e në raportet e vendit me jashtë, për herë të parë kemi përkeqësim serioz të raporteve të Kosovës me ShBA’në.
E gjithë barra për këtë situatë bie mbi Kryeministrin Haradinaj, i cili deri më tani po tregon një kryeneçësi të pashoqe që të mos pezullohet taksa.
Mund të ketë të drejtë në mbajtjen e vendimit të tij. Por, ajo që nuk është e drejt prej tij është se nuk është argumentues në vendimin e tij se pse duhet mbajtur edhe më tej taksa ndaj mallrave të Serbisë, kur nga të gjitha anët propozohet pezullimi i saj, dhe se a ia vlen të vihen në bastore raportet me sponsorin më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA’në”, tha Mirena.
Haradinaj nuk ka të drejt që për të gjithë këtë situatë të krijuar dhe për përkeqësimin e raporteve me SHBA’të të fajësohet Presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi, thotë Mirena.
“Kësisoj Haradinaj nuk ka të drejt të drejtojë gishtin ndaj Presidentit Thaqi, i cili njësoj nga oponentët e tij fajësohet për mos transparence rreth një marrëveshjeje eventuale me Serbinë – sepse edhe vet Haradinaj përpos një “Jo’je” konstante, nuk është i qartë se pse nuk po e pezullon taksën ndaj mallrave serbe.
Aktualisht, i gjithë debati rreth dialogut me Serbinë, ka marrë përmasën e ballafaqimit me Amerikën. Sepse kemi në njërën anë presionin amerikan për pezullimin e taksës dhe në anën tjetër këmbënguljen e Haradinajt për mospezullimin e saj. Ne shohim për çdo ditë se si kemi rënë në një ballafaqim jo me Serbinë, por me Amerikën.
“Me gjithë këto kërkesa, nuk do shumë analizë që të konstatohet se raportet mes Kosovës dhe ShBA’së janë në një pikë tejet të ulët dhe mendoj se rikuperimi i këtyre raporteve që janë lënduar tej mase shkaku i taksës, do të jetë tejet vështirë të kthehen në pikën ku kanë qenë”, ka thënë Mirena.
Ndërkaq, Kosova po përballet gjatë këtyre muajve me masa shumë të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), pasi kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk po pranon kërkesat e shtetit amerikan që taksa ndaj produkteve serbe të pezullohet në mënyrë që dialogu me Serbinë të fillon dhe të përfundohet marrëveshja finale mes dy vendeve.
Madje, Presidenti Hashim Thaçi sot ka thënë se marrëdhëniet e shkëlqyera që shteti më i ri Evropë, kishte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë luhatur, duke fajësuar për të gjitha këto Kryeminstrin Haradinaj, pasi ky i fundit nuk po i dëgjon kërkesat e SHBA’së./gazetametro.net/ZgjohuShqiptar.info