Rama sqaron marrëdhënien me mediat: Portali Syri shkaktoi terror me ‘fake news’, te Ora News ndërhyri drejtësia

Kryeministri Edi Rama ka hedhur edhe një herë poshtë lajmet se do të ketë dënime me burg për ata që bëjnë meme, edhe pse ministria e drejtësisë zyrtarisht po diskuton një draft, ku thuhet se ndalon montazhin e pamjeve të një personi pa pëlqimin e tij.
Rama tha se qeveria e tij nuk i është turrur kurrë medias, ndryshe nga sa ka ndodhur në të kaluarën.
Për rastin e portalit Syri, kryeministri tha se kishim të benim me një “fake news” të tmerrshëm (rasti i parashikimit të tërmetit), që përhapi panik. Sa i përket sekuestros së Oranews, kryeministri tha nga studiot e këtij televizioni, se kjo është vepër e drejtësisë dhe jo e qeverisë.
“Ne i jemi turrur asnjë media në këto 7 vjet, sikur për shembull iu turrën Top Channel në të kaluarën. Nuk kap dot një pronar, një drejtor lajmesh që të dalë e të thotë në një mënyrë apo një tjetër, direkt ose indirekt, pushteti, unë apo struktura të tjera i kanë bërë presion për arsye të shprehjes. Nuk ka. Nuk ekziston.
Rasti i Syrit ishtë skandaloz, rast i tmerrshëm, mund të krijojte pasoja të paparashikueshme. Rasti i Syrit ka patur lidhje me një lajm të rremë që përhapi panik. Është e vertetë që ka patur polici tek OraNews, që administrohet nga shteti, po kjo nuk lidhet me përpjekjet e mia për të ndryshuar linjen editoriale, kjo lidhet me strukturat e drejtësisë që kanë nisur një hetim. Këtë po e bëjne institucionet e reja të drejtësisë. Ky është vendi që bën xixa mes meje dhe jush.”, tha Rama./Gazeta SHQIP