PDK shpëton për herë të dytë qeverinë “Hoti”: Voton ligjin për paketën anti Covid

Partia Demokratike e Kosovës ka shpëtuar për të dytën herë qeverinë e Avdullah Hotit, e cila nuk ka mazhorancën për të kaluar një ligj apo akt parlamentar.
PDK sot ka votuar paketën e rimëkëmbjes, ajo që quhet tek ne “paga e luftës” që përfshin pagesa për bizneset dhe për qytetarët që kanë humbur nga pandemia e Covid-19.
Kryeministri Avdullah Hoti ka falënderuar të gjithë deputetët që votuan pri paketës, duke e konsideruar një vendim në të mirë të qytetarëve.
Ndërkaq, drejtuesi i komanduar i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka konsideruar bashkimin e votave me qeverinë si një akt të përgjegjshëm që ndihmon njerëzit e thjeshtë dhe një “amanet” të kreut Kadri Veseli që ndodhet në Hagë.
“Votimi i projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike sot në Kuvendin e Kosovës është vendimi më i rëndësishëm në vitin 2020. PDK-ja u rreshtua me interesat e popullit, familjeve, punëtorëve që humbën vendet e punës nga pandemia dhe me bizneset që u prekën dhe u mbyllën nga kriza. Orientimi jonë është i qartë, i asaj që e përsëriste kryetari Kadri Veseli se ne jemi opozitë e qeverisë, por jo e shtetit”, tha Hoxhaj.
Ndërkaq prej kohësh ka negociata ndërmjet LDK-së dhe PDK-së për një hyrje në qeveri të partisë së Kadri Veselit, dhe sipas gjasave po negociohet një marrëveshje e plotë që përfshin edhe Presidentin e Republikës, që PDK e kërkon të jetë një propozim i saj. Ndërkaq, AAK ka bërë të ditur se nëse Ramush Haradinaj nuk do të mbështetet për President, kjo parti nuk voton asnjë kandidat tjetër.
Paketa e ndihmave që u miratua sot thekson se qytetarët, por edhe kompanitë e goditura do të marrin një ndihmë financiare nga buxheti i shtetit.
Ndërkaq, lënda e parë për prodhim përjashtohet nga taksa e TVSH-së. Kurse bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro. Shuma e pagesës për punëtorët që kanë humbur punën është 300 euro nj muaj./GazetaShqip