Hapi i parë/ Miratohet nisma e Ruçit, falja e detyrimeve për ushtarakët në pension drejt votimit final

Komisioni Parlamentar i Çështjeve Sociale ka kaluar nismën e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për të falur borxhet e ish-ushtarakëve ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Ky vendim është një hap i parë drejt dërgimit në seancën më të afërt të draftit që ka një faturë prej rreth 1 milion dollarësh.

Me këtë draft, falen të gjitha borxhet e krijuara, dhe tashmë nisin procedurat për një përfitim të një numri shumë të madh ish-ushtarakësh që nuk kanë mbyllur çështjen e pensionit të tyre por kanë mbetur dyerve të gjykatave.

Kjo është hera e parë Ruçi paraqet një nismë të tillë duke qenë edhe kryetar i Parlamentit dhe se kjo bëhet pikërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Bëhet fjalë për pagesa të mëdha, që janë krijuar nga një hendek si pasojë e nxjerrjes në pension të parakohshëm në vitin 1992 nga ana e qeverisë së PD-së.

Kjo pasi në ligjin e statusit të ushtarakut të miratuar në vitin 2004, koha e pensionit të parakohshëm nuk njihej si pjesë e viteve të punës ndaj dhe ndikonte në shumën e pensionit të llogaritur.

Ndërkaq, një vendim i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, ka bërë që për të gjithë problemet që kanë ish-ushtarakët duhet t’i drejtojnë në gjykatë një nga një, çka përbënte një odise sfilitëse të tyre, ndërkohë duhen llogaritur vitet e punës, derdhja e sigurimeve shoqërore.

Në relacionin shoqërues të projektligjit theksohet se “Zgjidhja e propozuar sipas këtij projektligji është falja e detyrimeve të ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të caktuara sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, bazuar në kriteret Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr. 3, datë 24.11.2016”.

Në relacion theksohet se vlera e këtij debiti të ushtarakëve ndaj ISSH, është 110 milionë e 722 mijë e 185 lekë.

“Ky ligj nuk ka kosto financiare efektive në buxhetin e sigurimeve shoqërore, duke qenë se shuma e mësipërme nuk do të dalë nga ky buxhet, pasi kjo shumë është tërhequr nga ushtarakët nëpërmjet vendimeve të formës së prerë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deri në fund të muajit tetor 2020 në total numri i proceseve gjyqësore, me objekt rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi të caktuar sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, bazuar në kriteret e vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.3, datë 24 nëntor 2016, është 847 çështje nga të cilat janë ende në proces gjyqësor në të gjitha shkallët e gjykimit janë në total 650 çështje, ndërkohë që në Gjykatën Administrative të Apelit janë shqyrtuar 197 çështje me vendim të formës së prerë. Vlera debitore e krijuar është në masën 110, 722, 185 lekë”, thuhet në nismën e siguruar nga Gazeta Shqip/ GazetaShqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT