Paralajmërimi nga SHBA: Nëse qeveria “Hoti” hyn në zgjedhje do t’i humbasë ato!

Analisti i njohur për Ballkanin, Daniel Serwer, profesor i Universitetit “John Hopkins” në Uashington ka deklaruar për portalin e serbëve të Kosovës, Kosovo-online, se nëse koalicioni qeverisës aktual e çon vendin në zgjedhje, atëherë ai do të humbasë.

Në intervistën e tij, Serwer, thekson se sipas të gjitha gjasave do të ketë një koalicion të madh ndërmjet LDK-së dhe PDK-së pikërisht që të shmangen zgjedhjet, ku pritet të zgjidhet një president i ri.

“Kosova ka nevojë për një president të ri. Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda afatit në parlamentin aktual, do të duhet një Parlament i ri, që do të thotë zgjedhje. Por unë pres që koalicioni aktual qeverisës do të bëjë gjithçka për ta shmangur atë, sepse mund të humbasë. Zgjerimi i koalicionit mund të zgjidhë të dy problemet”, tha ai.

Serwer tha se ka shumë njerëz në Kosovë që mund ta kompensojnë mungesën e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. “Sigurisht që ka. Kosova ka shumë njerëz që mund të zëvendësojnë të akuzuarit, të cilët me të drejtë shkuan të mbrohen”, tha Serwer për “Kosovo Online”.

Ndërkaq, në lidhje me dialogun me Serbinë, analisti i njohur amerikan tha se dy gjëra duhet të jenë të qarta – reciprociteti dhe zbatimi.

“Çfarëdo që të kërkojë Prishtina ose Beogradi, ata duhet të jenë të gatshëm të japin një ekuivalent. Dhe gjithçka që është rënë dakord duhet të zbatohet në një mënyrë të verifikueshme. Duhet gjithashtu të jetë e qartë se dialogu ekziston me një qëllim: të mundësojë njohjen reciproke dhe shkëmbimin e ambasadorëve. Asgjë më pak se kaq është normalizimi i vërtetë”, thotë Serwer./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT