2020 viti më i vështirë për të rinjtë/ Qiraxhi: 50% e rinisë ose të afërmve të tyre humbën punën

Sot është 8 dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë në Shqipëri. Një datë, e cila që prej 2009 përkujtohet si një festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare të cilët u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike nëpërmjet protestave që sollën pluralizmin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
Gjatë 30 viteve të rinjtë shqiptarë janë gjendur mes shumë sfidash, por 2020 ashtu si për të gjithë edhe për të rinjtë nuk do të ishte një vit fort i lehtë. Pandemia ka prekur edhe këtë kategori, e cila reflektohet në papunësi të lartë mes të rinjve, një dëshirë për të emigruar apo mos u kthyer më në Shqipëri.
Sipas Eurostat, Shqipëria gjatë 2020 mban vendin e dytë për numrin e lartë të kërkesave për azil, dhe shumica janë të rinj nën moshën 34 vjeç.
Migen Qiraxhi, nga “Qëndresa Qytetare” ishte i ftuar sot në ‘Wake Up’ ku tregoi disa nga problemet që hasin sot të rinjtë.
“Të rinjtë sot po i bien shkurt, po ikin direkt në Europë, nuk duan ta bëjnë vendin e tyre si Europa. Sigurisht që kjo nuk është ajo që do të donim ne. Të rinjtë duhet të kapin momentin, për të kuptuar që tani është momenti i tyre për të vepruar, ashtu siç vepruan 30 vite më parë brezi i prindërve tanë.
Armiku kryesor që pandemia ka goditur dhe sulmuar fort janë të rinjtë. Po humbin financat e tyre, po humbin punën. Në një raport të fundit tregohet se rreth 50% e të rinjve kanë humbur punën ose një i afërm i tyre ka humbur punën.
Ka goditur në aspektin cilësor të arsimit. Ka goditur arsimin e këtyre dy viteve, po rrezikohet e ardhmja e tyre për gjithë jetën, për shkak të arsimimit të jo cilësor. Sigurisht që ka dëmtuar edhe aspektin social-kulturor”, sqaroi ai.