Braho zbulon takimin me Leka Zogun, “bashibozukët” që e ruanin, bisedat për vota në Parlament dhe kthimi i armëve të bllokuara në Rinas

Deputeti socialist, Spartak Braho, në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, ka hedhur dritë mbi një takim që ka pasur me Leka Zogun, djalin e mbretit Ahmet Zogu. Sipas Brahos, PS e drejtuar nga Fatos Nano do të duhej të kalonte Kodin Doganor në Parlament, por nuk i kishte votat, ndërsa PLL kishte 3 deputet të saj, të cilët ishin në seanca edhe pse PD kishte nisur bojkotin. Nano dërgon Brahon për një takim me Leka Zogun, për të negociuar që deputetët legalistë të bashkojnë vota me PS për të siguruar 84 vota. Braho tregon se si e takoi Zogun në një vilë të marrë me qera dhe bisedat e bëra mes tyre.
BISEDË ME DJALIN E MBRETIT
Leka Zogu ishte rikthyer në Shqipëri, pas dështimit të aventurës ushtarake për të “pushtuar” KQZ. Referendumi për Monarkinë kishte humbur, ashtu si dhe tentativa e aksionit të Princit, të nxitur nga Sali Berisha dhe Abedin Mulosmani, një agjent i vjetër i UDB. Abedinin Princi e kishte njeri të besuar, pasi i ati, mbreti Zog, e kishte patur për një kohë të gjatë pjesëtar të oborrit të tij dhe të mbretëreshës Geraldinë. Bashkë me ta, si pjesëtar të oborrit, kishin qenë edhe dy agjentë të sigurimit të shtetit, Isuf Mullaj dhe Kiço Konomi. Me zbritjen në aeroportin e Rinasit, dogana i kishte sekuestruar Princit një arsenal të tërë armësh luftarake, sixhade, qilima e tapete me origjinë arabe, si dhe pasaportën mbretërore, pa vlerë përdorimi në shtetin shqiptar.
Ndërkohë, në Parlamentin shqiptar, nga Partia e Legalitetit, si parti që përfaqësonte mbretin e vdekur tashmë, ishin futur tre deputetë, të cilët ndiqnin rregullisht seancat, në një kohë që deputetët e PD kishin braktisur Kuvendin e Shqipërisë. Me nxitjen e Anastas Angjelit, si ministër i Financave në qeverinë e Fatos Nanos, ishte kërkuar ndryshimi i Kodit Doganor, për të cilin nevojiteshin 84 deputetë, numër, të cilin mazhoranca nuk e arrinte dot. Kryeministri kërkoi të bisedojë që të tërhiqeshin në votim edhe tre deputetët legalistë. Pas bisedimeve që bëri Gramoz Ruçi me ta, deputetët legalistë e kondicionuan pjesëmarrjen e tyre me pëlqimin që duhej të jepte princi Leka për këtë votim, ndryshe… I gjendur në tavolinë si kryetari i Komisionit të Ligjeve, kryeministri Nano më kërkoi që të takoja princin Leka, i cili ndërkohë ishte vendosur me banim në autostradën Tiranë-Durrës, në vilën e Albert Xhanit, të marrë me qera.
-Shko takoje, – më porositi Fatosi, – se mos e thyen.
-Dakord, – i thashë, – kam një mik pranë princit, Fluturak Gërmenji, me të cilin njihem herët, pasi ka qenë oficer ushtrie.
Ashtu bëra. Në ditën dhe orën e caktuar arrita në vilën trekatëshe në autostradë, në oborrin e të cilës kur hyra brenda, pashë nja 10-15 djem të rinj të veshur me rroba kamuflazhi, që dikush si instruktor i stërviste fizikisht, por që lëvizjet e tyre më dukeshin shumë qesharake.
-Çfarë i keni këto, more Fluturak? – i thashë.
Fluturaku vuri buzën në gaz dhe u përgjigj: -I do Princi si truprojë për të ruajtur djalin, Princi Leka i Dytë.
Unë qesha dhe i thashë: -Po këta më duken si tufë bashibozukësh…
Hymë në sallonin e pritjes, ku me sa pashë, do të bëhej dhe takimi, pasi një tavolinë e ulët me disa shishe uiski ishin vendosur në mes. U ula në njërin prej kolltukëve dhe kuptova se djali i mbretit për t’i dhënë rëndësi vetes, nuk kishte dalë ende për të më pritur. Pas disa minutash, ai hyri dhe u drejtua nga kolltuku përballë meje. M’u duk shumë i dobësuar dhe i rënë fizikisht, me kockat e nofullave të dala, veshur me kilota dhe këpucë ushtarake, ku binin në sy këmbët e holla që mezi mbanin trupin e gjatë të tij. “Ky paska marrë fund”, thashë me vete, duke çuar ndër mendje edhe disa fjalë që qarkullonin nëpër Tiranë se Princi ishte i sëmurë me SIDA. Ndërkohë, që truproja e tij kishte vdekur nga kjo sëmundje. Pas Princit qëndronte në këmbë Murat Basha, një legalist i vjetër tiranas, ndërsa në krahun tim qëndronte Fluturak Gërmenji, sekretari i oborrit të tij. Një kamarier hyri dhe mbushi gotat e mëdha me uiski dhe na i vuri përpara. Qetësisht i thashë kamarierit se unë nuk e pi uiskin, do të preferoja po të kishte raki, se duhet të ketë, përderisa këtu është edhe Fluturaku, që është djalë Skrapari. Princi që deri në atë kohë m’u duk sikur flinte, ngriti kokën dhe më pa me çudi.
-Nuk e pi me të vërtetë? – më pyeti.
-Jo, – i thashë, – s’para i pi pijet me ngjyra. – Dhe i tha Fluturakut të sillte raki.
Biseda kishte nisur me vështirësi, ndonëse kisha menduar që fillimisht të “zbrazesha” mbi Princin, për disa histori të vjetra të familjarëve të mi. Ishin rreshtuar në qeverinë e Fan Nolit përkrah tij si anti-zogistë, por ishin vrarë nga ushtria mbretërore në Shkallët e Tujanit, në malin e Dajtit, në tentativën për të pushtuar Tiranën.
-I nderuar Princ Leka, – iu drejtova, – unë kam ardhur për të biseduar me ju, me porosi të kryeministrit Nano, por para se të vazhdojmë bisedën, dua të të bëj të ditur se bashkë jemi në gjak. Babai juaj ka vrarë xhaxhallarët e babait tim. Fraza ime plasi si bombë në tavolinë dhe pashë që Murat Basha, legalisti trupmadh tiranas, lëvizi nga vendi dhe m’u duk se u bë gati të më hidhej në fyt për të “shpëtuar” Princin nga një i marrë që kishte ardhur për të marrë hak e gjak. Princi, nuk e di a e kuptoi se çfarë i thashë, por diçka mërmëriti me vete dhe më nguli sytë.
-Unë e di se ju kanë dërguar për tjetër punë, – m’u drejtua mua.
E ndjeva që fjalët e mia kishin komplikuar situatën, por e kishin bërë edhe efektin.
-Po, po, – vazhdova unë, – kam ardhur për tjetër punë, por meqenëse ra rasti, ua thashë, që ta dini. Rrini i qetë, se jua kam falur gjakun. Kanë kaluar shumë kohë dhe nuk ia vlen të merremi me këtë histori.
-Po, – tha duke miratuar fjalët e mia, tundi kokën dhe rrëkëlleu gjysmën e gotës me uiski.
-Gëzuar! – i thashë dhe unë.
Biseda vazhdonte me kërkesën se qeveria donte të ndryshonte Kodin Doganor, por na duhej edhe mbështetja e tre deputetëve legalistë.
-Patjetër, do t’ju mbështesim… – u përgjigj Princi, dhe pas disa minutash heshtje, m’u drejtua mua: – Po ju çfarë do të bëni për mua?
-Fol, – i thashë, – çfarë kërkon nga qeveria?
-Në doganë, kur zbrita, – më tha, – më kanë marrë pasaportën, koleksionin e armëve, sixhadet e disa sende të tjera, që i kam kujtim nga mbreti. Si mundem të mos kem unë pasaportë?! – ripërsëriti ai fjalët dhe pashë që i ngashëryer mbushi sytë me lot.
E kuptova dhe i thashë: -Kryeministri më tha që do t’ju pajisë me pasaportë diplomatike shumë shpejt. Edhe sixhadet, tapetet dhe sendet e tjera personale do t’ju kthehen, kurse armët luftarake nuk do t’ju kthehen, pasi ligji nuk e lejon. Nuk ke çfarë i do, 15 kallashnikovë, 5 bazuka dhe mitraloza, si dhe municionet.
-Po unë jam koleksionist armësh, – m’u përgjigj me zë të vakët Princi.
– Si koleksionist erdhe në ‘97-ën, kur u bë Referendumi, por gabove, se i fute në përdorim armët që i kishe sjellë, apo jo? Megjithatë do t’i propozoj kryeministrit që të mbash në koleksion nga një copë për secilën lloj arme, por pa municion, dhe do t’u bëjmë nga një vrimë në tytat e tyre. Mbaji si koleksion ato, ok?
Princi qeshi si fëmijë, duke më dhënë dorën.
-Fjalë burrash, – më tha.
-Fjalë burrash, – i thashë. – Por të mbarojë votimi nesër dhe t’i kryejmë këto punë, o Princ Leka.
Muhabeti kishte mbaruar. U ngrita për të dalë jashtë, duke përkëdhelur dhe Lekën e vogël, që vinte vërdallë nëpër sallë…
…Pas disa ditësh Kodi Doganor u miratua.
KRONIKË HISTORIKE E VITEVE 1920-1926 (REFLEKSIONE)
Vitet ‘20-‘30 të këtij shekulli janë mbushur me ngjarje të vrullshme për një vend të vogël si Shqipëria. Ato filluan me Kongresin e Lushnjes, që e shpalli Tiranën kryeqytet dhe e zhvendosi aksin e jetës politike të Shqipërisë, nxori në skenë Ahmet Zogun, si ministër i Brendshëm dhe anëtarësoi vendin tonë në Lidhjen e Kombeve si një shtet i lirë dhe sovran, takim në të cilin Fan Noli shkëlqeu si kryetar i delegacionit shqiptar në Gjenevë. Ndërkohë, jashtë Shqipërisë zhvillohej aktivitet i dendur politik e shoqëror. Organizata të ndryshme e të shumta atdhetare vepronin në dobi të forcimit të pozitave të shtetit të ri. Njëra nga më të përmendurat ishte federata “Vatra” e Bostonit, e cila në vitin 1921 zgjodhi si kryetar Faik Konicën, që rimori edhe drejtimin e gazetës “Dielli”. Po gjatë viteve 1921-1922, Fan Noli përfaqësoi federatën “Vatra” në parlamentin shqiptar, ku shkëlqeu me oratorinë e tij. Pas një krize politike të nxitur nga opozita, më 27 dhjetor 1923, u zgjodh Asambleja Kushtetuese dhe Qeveria, në të cilën Ahmet Zogu, nga ministër arrin të bëhet kryeministër.
Më 27 shkurt të vitit 1924, përballë kërkesës së opozitës dhe pakënaqësisë së masave, Zogu u detyrua të jepte dorëheqje, por ai nuk u tërhoq nga përpjekjet për të shtënë në dorë pushtetin politik në Shqipëri, në kushtet e destabilizimit të saj. Për këtë u sajua një “preteks”. Në fillim të prillit 1924, u vranë në Mamurras dy turistë amerikanë. Qeveria e Vërlacit akuzoi si vrasës dhe autorë të këtij krimi tre djemtë e antizogistit Ramë Tafë Lika, nga Guri i Bardhë i Milotit, të cilët i vrau që të tre. Në prill 1924, Isuf Reçi, i shtyrë po nga Zogu, vrau Avni Rustemin, një personalitet i shquar i kohës, deputet, atdhetar dhe kryetarin e opozitës shqiptare në Asamblenë Kushtetuese. Ishte Fan Noli, ai që mbajti fjalimin e përmortshëm në nderim të tij, fjalim që u shndërrua në një ligjëratë plot pasion e zjarr, që frymëzoi popullin dhe ndezi aq fort opozitën liberale, sa Ahmet Zogu u detyrua të arratisej në Jugosllavi. Ngjarjet që pasuan morën formën e protestave të fuqishme popullore, të cilat sollën Revolucionin Demokratik të qershorit të vitit 1924 dhe ardhjen e Fan Nolit në krye të qeverisë. Ngjarja e vrasjes së dy amerikanëve në Mamurras nuk mbeti në heshtje. Për hetimin e saj u ngarkua gjykatësi hetues Ali Tabaku, i njohur si element me pikëpamje demokratike e përparimtare. Dokumentet e kohës theksojnë se, me prova të padiskutueshme, hetimi i Ali Tabakut nxori Ahmet Zogun si organizator të vrasjes. Ai kishte futur njerëzit e Abaz Kupit, të quajturit Vesel Hidri e Elez Hasani, të kryenin vrasjen e amerikanëve, me qëllim që t’u tregonin Fuqive të Mëdha “pazotësinë e regjimit”.
Edhe qeveria amerikane nga ana e vet, bëri presion ndaj qeverisë shqiptare të Fan Nolit. Ky i fundit, i nxitur nga të gjitha këto rrethana, u detyrua t’i nxirrte të pandehurit në gjyq dhe t’i dënonte ata me vdekje në dhjetor 1924, mes të cilëve u dënua me vdekje në mungesë edhe Ahmet Zogu, pasi prej kohësh ai ishte larguar nga Shqipëria për në Jugosllavi. Përveçse në shumë revista e gazeta shqiptare të kohës, ngjarja e bujshme e vrasjes së dy amerikanëve pranë fshatit Mamurras u bë pjesë edhe e një vepre të njohur satirike, shkruar nga Faik Konica dhe të titulluar “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”. Konica përdori ironi therëse ndaj Zogut, të cilin e quan Salemboza, ndërsa qeverisjen zogolliane ai e përqeshi si të prapambetur dhe anadollake dhe nivelin e zhvillimit të Shqipërisë, si të mjerueshëm. Dihet se Konica filloi ta botonte veprën “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” gjatë vitit 1924, në disa numra të gazetës “Dielli” të Bostonit. Gjatë kësaj periudhe ai i kishte quajtur “tepër të buta” qëndrimet e Nolit ndaj Ahmet Zogut. Por në vitin 1925, me kthimin e pushtetit të Zogut, dhe përmirësimit të marrëdhënieve të Konicës me Zogun, botimi i veprës në “Dielli” u ndërpre.
Me kthimin në fuqi me ndihmën e jugosllavëve, Zogu iu vu punës për të qëruar hesapet me kundërshtarët e tij. Në listë ishte edhe Ali Tabaku, ndjekjen e të cilit ia besoi kryeprokurorisë, me hetues të posaçëm Idriz Mingën, i cili e arrestoi Ali Tabakun dhe pas dy vite paraburgim, e akuzoi atë së bashku me Dr. Omer Nishanin dhe Avdush Kastratin, se “kishin falsifikuar procesin e vrasjeve të Mamurrasit” me qëllim për të diskretituar Kryetarin e Republikës, Ahmet Zogun. Nga ky “proces qesharak”, siç e quan me të drejtë vetë juristi Ali Tabaku në një letër dërguar vëllait të tij, Dudë Tabaku (dëshmor), i kërkon atij “që të ruajë aktakuzën me kujdes, me shpresë se do të vijë një ditë e bardhë, mbasi në këtë botë çdo gjë ka një fillim dhe një mbarim”. Për të legalizuar vullnetin e Ahmet Zogut, organet gjyqësore e dënuan Ali Tabakun me burgim të rëndë. Por pas disa ditësh nga dhënia e vendimit gjyqësor, u njoftua edhe “vdekja e tij”. Rreth vdekjes së papritur të Ali Tabakut, bashkëkohësi i tij, R. Këlliçi, shkruan se: “Zogu kur e solli kokën në Tiranë, puna e parë që bëri ishte të merrte hak ndaj Ali Tabakut, të cilin e çmendi dhe e mbyti, duke ia marrë shpirtin me dru”. Ndërsa Shemsi Hajro në librin e tij me titull “Në gjirin e lëvizjes patriotike”, shkruan se: “Ky gjykatës (Ali Tabaku) gjykoi vrasjen e amerikanëve në Mamurras e nxori në shesh të vërtetën dhe se në vendimin që dha e cilësoi Ahmet Zogun si shtytësin kryesor në këtë vrasje për qëllime të errëta”. Gjithashtu, në broshurën me titull “Nga triumf i legalitetit në revolucion popullor” botuar në Gjenevë në vitin 1934, thuhet se Ahmet Zogu i ka ngjyer duart deri në sqetulla me gjakun e Avni Rustemit, të Isuf Kazazit, të Sali Çelës, Ali Tabakut, Ibrahim Arapit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e të qindra nacionalistëve demokratë. Kështu shkruhet në kronikat historike të atyre viteve, ndërsa mua më vjen në mendje tani jehona e këtij krimi politik.