SPAK, tërmeti real që tronditi nën tokën e pandëshkueshmërisë

Që prej tre muajsh gjërat dukeshin si të trazuara në nëntokën shqiptare të krimit dhe tokën lart saj, ku lidhjet e tij janë të forta dhe me interesa të mëdha.

Aktet e prokurorëve të SPAK që çuan në vendosjen e regjimit të izolimit (24 bis) për disa nga baronët e krimit në burgun 313 dhe burgun e Sigurisë së lartë në Peqin sollën një trazirë të madhe që zgjati dy muaj, e u duk se do të kishim revolta zinxhirë çka do të shkaktonte dhe kaos.

E pikërisht kur po mbushej një vjetori i konstituimit të bërthamës drejtuese të SPAK me prokurorin Arben Kraja në krye, gjërat lëvizën edhe më shpejt.

E para që e paralajmëroi këtë ishte ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në një intervistë në Opinon.

“Për shumë kohë njerëzit e pushtetshëm nuk janë ndëshkuar. Kësaj kohë po i afrohet fundi. Do fillojmë të shohim rezultate”, tha Yuri Kim në fund të tetorit.

Nuk kaloi shumë kohë dhe kolpo e parë e Prokurorisë së Posaçme ishte një akt “koshience”, ku u ndërmor edhe vendimi më i fortë ndaj një ish-kolegu, posaçërisht ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, kur ky institucion ishte piramidal e fuqiplotë.

Bëhet fjalë për Adriatik Llallën, kryeprokurorin e Republikës, i cili po shkonte drejt një “shpëtimi” të butë, si në klasifikimin e veprës penale, ashtu edhe në sekuestrimin e pasurisë.

Me ndërhyrjen e kreut të SPAK, Llallës ju klasifikua akuza dhe u bë e mundur që pas shpalljes i pandehur nga Gjykata Speciale ndaj krimit e Korrupsionit, të ndërmerrej dhe sekuestroja e një pasurie të rëndësishme të ish-Prokurorit të Përgjithshme.

Ndërkaq, mbrëmë plasi dhe “bomba” e madhe. Arrestimi i disa prej të fortëve të Durrësit, Vlorës dhe Tiranës dhe rihapja e çështjeve më të bujshme të përplasjes mes krimit të organizuar, ka qenë një lëvizje shumë e bujshme dhe e guximshme.

Lulzim Berisha, Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri, Indrit Taullai, etj janë nga njerëzit më të pushtetshëm dhe frikshëm të nëntokës shqiptare.

Njerëz që kanë çuar në atë botë një numër të madh personash, me lidhje shumë të fuqishme në piramidën e lartë, por edhe me pasuri marramendëse.

Hapja e dosjeve si vrasja e Vajdin Lames dhe ajo e bankierit Dritan Santo, janë ata fashikuj që përveç efektivitetit në rizbulimin e autorëve të ngjarjeve të rënda, trondisin mafian shqiptare.

E natyrisht pasoja është tek paratë e tyre dhe lidhjet e forta me njerëz të fuqishme në shtet dhe politikë.

Prej një viti, në SPAK po punon Tamar Laptosh, prokurorja kroate që arrestoi ish-kryeministrin Ivo Sanader. Mjeshtre e gjetjes së pasurive të zyrtarëve, Laptosh përveç këshillave po trajnon prokurorët shqiptar se si të gjejnë paratë e fshehura të “sanaderëve” shqiptarë.

SPAK, sipas të gjitha gjasave po trondit nga themelet pandëshkueshmërinë në Shqipëri, çka do të sjellë pasoja të shpejta e pozitive në shoqëri. Shembujt janë afër; siç ndodhi me hetimet e Falcone-s dhe Borselino-s në Palermo, ata të prokurorëve kroatë etj…

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT