Eksperti rendit arsyet: Pse policia rrugore nuk e bën dot kontrollin teknik të automjeteve

Ekspertët autoteknikë dhe ata të sigurisë rrugore theksojnë fort se kolaudimi i automjeteve 1 herë në 2 vjet është një periudhë e gjatë për flotën prej 630 mijë makinash që disponon aktualisht Shqipëria.
I ftuar në “Wake Up”, Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore renditi arsyet teknike kundër këtyre ndryshimeve.
“Kalimi nga SGS-ja te një operator shtetëror, nuk është ndonjë gjë negative, por diçka pozitive, për arsyen e thjeshtë sepse Drejtoria e Përgjithshme e Transporteve ka asete më të mëdha sesa një kompania private.
Por ndryshimet që kanë bërë për sa i përket afateve kohore, aty kemi rezervat tona. Dihet që për shembull që siguria e lëvizjes së mjeteve është e lidhur ngushtë me mungesën e sigurisë teknike te mjeteve.
Në rast se një mjet ka mangësi teknike, kjo është shkak kryesor për aksidente rrugore. Kolaudimin e automjeteve unë e shoh në një këndvështrim tjetër. Mund të bësh liberalizim të pikave të kontrollit të SGS.
Liberalizim do të thotë që nuk do të ishte një pikë kontrolli vetëm në Tiranë, por disa pika kontrolli në qytete të tjera ku ka radhë.
Me kod rrugor, kontrollin teknik të automjeteve e realizon policia rrugore. Por, realisht sot për policinë rrugore nuk ekziston mundësia e realizimit të kontrollit teknik në rrugë.
Për arsye se kemi rrugë interurbane kryesore, ku nuk ka sheshpushime për të realizuar. Shërbimet e policisë rrugore janë të fokusuar kryesisht të drejtues mjetesh që ecin me shpejtësi, bëjnë parakalime të gabuara, nuk kanë vënë rripin etj. Ky kontroll kërkon shtim të forcave policore”, tha eksperti.