Samiti i Diasporës: Video e Ramës dhe disa shifra që vërtet habisin!
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zbuluar pamjet nga ambientet ku do të priten shqiptarët e diasporës ditën e nesërme, të cilën ai vetë e ka cilësuar: “Në shtëpinë e mikpritjes së Samitit”.
Në Shtëpinë e Mikpritjes së Samitit, Kryeministri Rama inspektoi të gjitha ambientet ku në panele do të mbajnë diskutime të ndryshme në fusha si ekonomia, turizmi, arsimi e kultura. Sipas shifrave të bëra publike nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, janë 1300 të regjistruar online dhe 600 të ftuar.
“1300 kanë vajtur prenotimet online, 600 ftesa zyrtare”, – tha Majko. Një hapësirë e veçantë do të jetë edhe për agroturizmin dhe mjedisin, ku do të ketë edhe një ekspoze për “100 fshatrat”.
Ky është Samiti i Dytë i Diasporës që do të zhvillohet nga data 28 shkurt deri më 2 mars.Samiti i Parë i Diasporës u mbajt në vitin 2016 dhe mblodhi në Tiranë rreth 1000 përfaqësues të komunitetit shqiptar jashtë atdheut nga 40 shtete të botës. Ai u konsiderua një sukses nga qeveria shqiptare.Por ky samit i dytë i ka shqetësuar disa nga anëtarët e komuniteti shqiptar në mërgim për shpenzimet e tij ekstravagante.Në një vendim të datës 9 janar, Këshilli i Ministrave i kaloi drejtorisë së shërbimeve qeveritare një shtesë fondi prej rreth 67 milionë lekësh të reja për organizimin e samitit.Gazetarja Esmeralda Keta shkruan për agjensinë BIRN se detajimet e buxhetit të ndarë në zëra kanë sjellë dhe kritika ndaj eventit.Skenografia e ditës së parë të konferencës do të kushtojë 18 milionë lekë. Për qiranë, vetëm për një ditë aktivitet nga ora 09:00- 14:00, për sallën në ExpoCity është miratuar një fond prej 10 milionë lekësh.Më 2 mars, 800 përfaqësuesit e diasporës do të nisen drejt Lezhës ku do të marrin pjesë në ceremoninë e 575 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Për transportin e tyre qeveria ka parashikuar një fond prej 2 milionë lekësh, me një kosto prej 2500 lekësh për çdo person, ndërkohë që bileta vajtje-ardhje për Lezhë aktualisht, në të gjitha linjat që e ofrojnë këtë shërbim kushton vetëm 500 lekë.Por edhe transporti nga Tirana drejt ‘Expo City’ nuk do të jetë më pak i kushtueshëm. Nëse për këtë linjë qytetarët paguajnë 100 lekë vajtje ardhje, transporti për 800 të ardhurit nga diaspora do të kushtojë plot 1250 lekë për person.Publikimi i shpenzimeve është shoqëruar me kritika dhe disa nga pjesëmarrësit në samitin e parë kanë vendosur ta bojkotojnë aktivitetin.“Nuk ka nevojë kaq shumë për skenografi, mbrëmje gala, çmimet, qira për dhjetë ditë për sallën e cila do të përdoret vetëm për një ditë, zbukurim i rrugës, …për më tepër, nuk mund të justifikoj 67 milionë lekë për dy ditë të Samitit, kur buxheti i Agjencisë së Diasporës është më pak së gjysma e kësaj shume,” shprehet ekonomisti Mark Kosmo, i cili ka qenë i pranishëm në Samitin e parë.Kosmo mban postin e kryesuesit të bordit të shoqatës së diasporës së Kosovës “Germin”, si dhe ka ngritur Fondacionin Shqiptar të Filantropisë.“Në cilin vend të botës harxhohet më shumë për dy ditë konferencë, se sa ka buxheti vjetor i agjencisë apo ministrisë,” pyet Kosmo, i cili ka një karrierë të pasur si konsulent i Bankës Botërore.Edhe Jeta Kaziu, aktualisht drejtoreshë marketingu në një kompani produktesh televizive – “Harvest Direct LLC” dhe po ashtu edhe nënkryetare e shoqatës “MAAS Besa” në Masaçusets e ka refuzuar ftesën njësoj si Kosmo./ZgjohuShqiptar.info
ERTV Live?: Në Shtëpinë e Mikpritjes së Samitit ??Publiée par Edi Rama sur Mercredi 27 février 2019